Angelina Jolie viziton jemenasit, takon refugjatët dhe familjet e zhvendosura
E dërguara speciale e Komisionit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Angelina Jolie, ka vizituar kampin al-Rabat, në veri të qytetit jugor të Jemenit. Qëllimi i udhëtimit të saj është kthimi i vëmendjes tek pasojat katastrofike me të cilat po përballet populli jemenas për shkak të konfliktit të shtatë-vjeçar.
Angelina Jolie, e dërguara e posaçme e UNHCR-së, ka mbërritur në Jemen për një vizitë që synon të kthejë vëmendjen tek pasojat katastrofike të konfliktit shtatëvjeçar mbi popullin e Jemenit. Ajo zhvilloi vizita në kampin al-Rabat dhe familjet jemenase, përfshirë familjet e zhvendosura dhe refugjatët, për të dëgjuar drejtpërdrejt prej tyre sesi konflikti ka shkatërruar jetën e tyre.
UNHCR shpreson se vizita e saj do të nxjerrë në pah nevojat në rritje humanitare në Jemen dhe do të ndihmojë në mobilizimin e mbështetjes urgjente përpara Konferencës vjetore të Nivelit të Lartë për Jemenin më 16 mars. Thirrja iu drejtohet aktorëve rajonalë dhe ndërkombëtarë që të angazhohen për t'i dhënë fund konfliktit.
“Ndërsa ne vazhdojmë të shikojmë tmerret që shpalosen në Ukrainë dhe bëjmë thirrje për një fund të menjëhershëm të konfliktit dhe ndihmë humanitare, unë jam këtu në Jemen për të mbështetur njerëzit që kanë nevojë dëshpërimisht për paqen. Situata këtu është një nga krizat më të rënda humanitare në botë”, tha Jolie në një postim në llogarinë e saj në Instagram.
Jolie ka përfaqësuar më parë UNHCR-në si Ambasadore e Vullnetit të Mirë nga 2001-2012 përpara emërimit të saj si e dërguar speciale. Puna e saj me OKB-në ndër të tjera, ka tërhequr vëmendjen për situatën në të cilën gjenden refugjatët në zona nga Iraku, Sierra Leone, Afganistani, Burkina Faso në Bangladesh etj.
Konflikti shtatëvjeçar në Jemen është midis qeverisë së njohur ndërkombëtarisht, e cila mbështetet nga një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite, dhe rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani. Kriza humanitare e vendit është ndër më të rëndat në botë, për shkak të urisë, sëmundjeve dhe sulmeve ndaj civilëve.
