Kamionët ‘pushtojnë’ Uashingtonin
Një autokolonë rreth 50 kilometra e gjatë është drejtuar drejt kryeqytetit amerikan Uashington DC në formë proteste kundër masave anti-covid njësoj si në Kanada. Policia e Kapitolit ka marrë masa për të siguruar lëvizjen e kongresmenëve.
Policia e Kapitolit në Shtetet e Bashkuara lëshoi një deklaratë emergjence në përgjigje të ‘Karvanit të Popullit’ të kamionistëve që protestojnë në Uashington DC kundër mandateve të vaksinave dhe masave të tjera të Covid-19.
Bordi i Policisë së Kapitolit shprehu frikën se protestuesit mund të mbyllnin rrugët dhe urat në kryeqytetin amerikan duke bërë paralelizëm me një situatë të ngjashme me atë që ndodhi në Otava në Kanada muajin e kaluar.
Policia u ka bërë thirrje anëtarëve të Kongresit dhe stafit të tyre që të marrin në konsideratë përdorimin e trenave dhe transportin publik ose rrugët alternative nëse udhëtonin me automjete, ndërsa kolona e kamionistëve do të jetë e pranishme në Uashington.
Autokolona e kamionistëve bllokoi trafikun të dielën në disa rrugë të kryeqytetit amerikan e cila zgjati për orë të tëra.
Ata u zotuan që të zbarkonin në më shumë qytete, sipas raportimeve autokolona vlerësohet të jetë afro 50 kilometra e gjatë.
Karvani i Lirisë në Otava muajin e kaluar u shpërnda me forcë nga policia pasi qeveria u dha autoriteteve kompetenca emergjente për të mbyllur protestat. Llogaritë bankare të lidhura me protestuesit u bllokuan, ndërsa organizatorët e kolonës u arrestuan ose shoqëruan nëpër komisariatet e policisë.
