Putin zbret vetë në terren, rusët nisin të shtunën stërvitjen ushtarake me raketa bërthamore

Rusët kanë nxjerrë në terren armatimin bërthamor. Ministria e Mbrojtjes ruse njoftoi se jemi duke testuar gatishmërinë e ushtrisë për luftë, gjë që e bëjmë çdo vit. Kjo stërvitje vjen në një kohë kur ka tensione të shtuara mes Amerikës dhe Rusisë.

Rusët do të fillojnë të shtunën një stërvitje të gjerë ushtarake, njofton ministria e Mbrojtjes vendase. Do të jetë vetë shefi i Kremlinit Vladimir Putin që do ta ndjek nga afër këtë stërvitje.

Autoritetet njoftojnë se do të jetë stërvitje që do të përfshijë edhe armët bërthamore – raketat me rreze të gjatë dhe të mesme veprimi. Në një deklaratë, zyrtarët e mbrojtjes thanë se stërvitja ishte planifikuar shumë kohë më parë dhe shërben për të kontrolluar gatishmërinë e ushtrisë.

Manovrat kanë për qëllim gjithashtu të testojë armatimin bërthamor dhe jo-bërthamor të forcave ushtarake, shtoi ministria. Në stërvitje do të marrin pjesë Forcat Ajrore, Forcat Raketore Strategjike, Flota e Detit të Veriut dhe asaj të Zi, si dhe Divizionet e Qarkut Jugor.

Kjo stërvitje ushtarake me armë bërthamore zhvillohet në një kohë kur tensionet mes Rusisë dhe NATO-s janë në një nivel të lartë. Rusët kanë kërkuar që amerikanët t’i tërheqin trupat nga vende  të ndryshme si dhe të mos ketë armatim bërthamor amerikan në Evropë.

Ukraina është e shqetësuar sepse në kufi me të rusët kanë pozicionuar mbi 150 mijë trupa të armatosur rëndë. Rusët thonë se janë duke i zhvendosur trupat nga kufiri, por amerikanët janë dyshues ndërsa njoftojnë se rusët mund të jenë duke kërkuar pretekst për të hyrë në pjesën Lindore të Ukrainës apo më gjerë.