Ukraina: Rusët nuk po tërhiqen, afro 149 000 trupa në kufirin tonë; Kievi: Nuk kemi qëllim të sulmojmë
Ukraina thotë se prania e trupave ruse në kufijtë e saj është në të njëjtën kuotë me atë që ishte përpara se Rusia të deklaronte se po të tërhiqte qindra trupa.
Në lindje të Ukrainës u regjistruan disa tensione mes forcave separatiste pro ruse dhe ushtrisë ukrainase, të cilët akuzuan njëri-tjetrin për provokime, ndërsa paralajmërimet e SHBA-ve për një pushtim të afërt rus kanë qenë në rritje.
Në territorin e kontrolluar nga rebelët në rajonin e Lugansk u dëgjuan disa shpërthime, ku një banesë pësoi dëmtime.
Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Olleksij Reznikov, deklaroi se Kievi nuk kishte ndërmend të kryente ndonjë sulm mbi zonat e kontrolluara nga separatistët pro-rusë.
"Kemi forcuar mbrojtjen ukrainase. Nuk kemi asnjë qëllim për të kryer ndonjë aksion ushtarak në Donjeck, Luganjck dhe Krime. Ne do të ndjekim rrugën politike dhe diplomatike, sepse ne kemi qytetarët tanë atje dhe nuk duam t'i rrezikojmë".
Kreu i Mbrojtjes ukrainase deklaroi se ishte mosbesues për tërheqjen e trupave ruse nga kufijtë e vendit.
Ai tha se ende ka afro 150 mijë trupa ruse pranë territorit të Ukrainës.
"Sa i përket tërheqjes së trupave ruse, kjo nuk po ndodh. Ka një zhvendosje forcash e mjetesh. Po vëzhgojmë divizionet e trupave ruse të cilat janë 129 mijë dhe bashkë me komponentët detarë e ajrorë, kjo shifër arrin në 149 mijë".
Rusia e cila ka mohuar planin e pushtimit prej 3 ditësh deklaron se është duke tërhequr trupat nga kufiri ukrainas.
