Luleshtrydhja izraelite thyen rekord, “Guinness” e shpall frutin më të rëndë në botë, peshon 289 gram
Fermeri izraelit, Tzachi Ariel, ka vendosur një rekord të ri botëror Guinness për luleshtrydhen më të rëndë në botë, të rritur në fermën e tij, në fshatin Kadima. Fermeri që punon në bujqësi prej 40 vitesh, shprehet se nuk ka parë kurrë diçka të tillë.
Fermeri izraelit Tzachi Ariel ka rritur luleshtrydhen më të rëndë në botë, sipas rekordeve botërore “Guinness”.
Plot 289 gramë, luleshtrydhja është rreth pesë herë më shumë, se pesha mesatare e një kokrre të zakonshme të varietetit lokal, tha Nir Dai, një studiues në Institutin Volcani të Izraelit. Luleshtrydhja ështe 18 cm e gjatë dhe 34 cm në perimetër, sipas matjeve nga “Guinness”.
Ariel shpresonte se do të ishte fitues kur pa se sa po rriteshin frutat në fermën e tij familjare vitin e kaluar. Ai ka pritur konfirmimin e rekordit ndërsa luleshtrydhen gjigante e mbante si provë në frigorifer.
"Në një nga ditët e vjeljes, kur luleshtrydhet u sollën në magazinë, zbuluam një "thesar"; rreth 10 luleshtrydhe të mëdha. Ne dokumentuam luleshtrydhen më të madhe dhe e dërguam në Guinness". "Pritëm rezultatet për një vit. Dy javë më parë morëm një njoftim zyrtar. Jemi shumë të lumtur që jemi pjesë e librit të rekordeve Guinness" tha Ariel.
Moti i pazakontë i ftohtë në fillim të vitit 2021 ngadalësoi procesin e pjekjes së luleshtrydhes, duke e lejuar atë të vazhdojë të fitojë peshë, sipas faqes së internetit të librit të rekordeve. Fermeri që punon në bujqësi prej 40 vitesh, shprehet se nuk ka parë kurrë diçka të tillë.
Rekordi i mëparshëm mbahej nga një fermer japonez, i cili kultivoi një luleshtrydhe prej 250 gramësh në 2015-ën.

