Lezhë/ 100 euro për test pozitiv, 500 persona paguan për teste false, arrestohet farmacistja

Policia e Lezhës ka goditur dy raste të lëshimit të dokumentacionit fallc në lidhje me testet Covid. Rreth 500 persona dyshohet se kanë paguar nga 50 deri në 100 euro tek një farmaci që kjo e fundit të plotësonte dokumente false sipas kërkesës së qytetarëve.

Rreth 500 qytetarë vetëm në Lezhë janë pajisur me përgjigje për testet PCR  false. Policia atje njoftoi se ka vënë në pranga Kristjana Lukën 25 vjeçe me detyrë farmaciste, dhe ka shpallur në kërkim Aurora Ujkën 35 vjeçe, e cila ka qenë pronare e famracisë ku lëshoheshin dokumente fictive.

Këto shtetase, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, në periudha të ndryshme kohore, kanë pajisur shtetas të ndryshëm, me dokumentin shëndetësor përgjigje fiktive të falsifikuar të testit molekular PCR për SARS-Cov-2, pa iu nënshtruar më parë kryerjes së testit dhe marrjes së kampionit PCR nga kërkuesit.

Pajisja e tyre bëhej vetëm me dërgimin e dokumentit të identifikimit nga ana e kërkuesit dhe sipas kërkesave të tyre, testi me përgjigje pozitive paguhej 100 euro, ndërsa testi me përgjigje negative paguhej 50 euro.

Ndërsa nga hetimet e deritanishme, dyshohet që me këto teste fiktive janë pajisur rreth 500 shtetas të ndryshëm.

Gjithashtu, policia njoftoi se ka proceduar edhe Arjan Dedën 49 vjeç, administrator i një subjekti privat biznes, i cili dyshohet se tek biznesi i tij kryente tampon në kundërshtim me procedurat e përcaktuara në ligjin për testin SARS-Cov-2.

Gjatë kontrollit të ambientit, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 vula, 1 aparat telefonik iPhone, teste të shtetasve të ndryshëm me rezultate pozitive e negative, si dhe fotokopje dokumentash identifikimi të shtetasve të pajisur me këto teste fiktive e të falsifikuara.