Aksion për “shtëpitë e barit”, Policia e Shtetit po bashkëpunon me OSHEE dhe SHISH

Policia e shtetit  ka kërkuar bashkëpunimin e OSHEE dhe  Shërbimit Informativ për zbulimin e ambienteve të mbyllura që merren më kultivimin e bimëve narkotike. Rezart Velmishi shefi i narkotikëvë në policinë e shtetit tha së autoritet policore  po përdorin edhe dronët për të kryer kontrolle e verifikime për identifikin e këtyre banesave të përshtatura për kultivim kanabisi.

Fenomeni i kultivimit të kanabisit në ambiente të përshtatura brenda banesave ka vënë në lëvizje policinë e cila po shkëmben informacione me OSHEE-në dhe institucione të tjera për zbulimin e këtyre rasteve.

Shefi i sektorit kundër narkotikëvë në drejtorinë e përgjithshme të policisë së shtetit Rezart Velmishi, tha se një pjesë e operacione policore janë sinjalizuar nga OSHEE për shkak të konsumit të lartë të energjisë ndërkohë që shpesh terreni verifikohet edhe me dronë.

"Bashkëpunimi i strukturave të policisë së shtetit është i vazhdueshëm dhe jo vetëm me OSHEE por edhe me prefekturat, bashkitë, pushtetin lokal dhe një peshë të veçantë merr bashkëpunimi me SHISH, SHÇBA, prokuroritë e rretheve. Gjithashtu edhe me OSHEE bashkëpunimi është shumë i mirë," tha Velmishi.

Pikërisht për të shmangur zbulimin nga faturat e fryra të energjisë, shpesh kultivuesit e bimëve narkotike bashkëpunojnë me punonjës të OSHEE, ose për të ndërhyrë tek sahatet matëse ashtu edhe për lidhje të paligjshme të energjisë. Për këtë arsye një numër i madh i elektricistësh janë proceduar dhe arrestuar

"Kjo nuk do të thotë që përderisa ka pasur punonjës të strukturave të OSHEE që janë identifikuar dhe kanë qenë të implikuar në këtë aktivitet kriminal të cenohet çështja e bashkëpunimit, përkundrazi kjo e forcon," tha ai.

Nga fillimi i këtij viti janë zbuluar 4 ambiente banimi të cilat ishin kthyer në laborator për kultivimin e kanabis sativës, ku mes tyre ishin të arrestuar dhe proceduar janë edhe polic si dhe elektricista. Përgjatë vitit 2021 nën akuzë për favorizim apo kultivim të lëndëve narkotike janë vënë 36 punonjës të OSHEE, 46 punonjës të pyjeve, 77 kryepleq fshatrash si dhe 13 administratore vendorë.