"Qëllimi i komisionit hetimor është të ndëshkohen fajtorët", Kraja për incineratorët: Drejtësia e re po vonon

Hetimi parlamentar i incineratoreve është vënë në pikëpyetje nga vete deputetët. Ligjvënësi demokrat Edmond Spaho braktisi sot hetimin e incinerastorëve nga parlamenti. Ai tha se Komisioni do dështojë, pasi nga procesi i deritanishëm është konfirmuar se veprimtaria kontrollohet nga mazhoranca socialiste.

Ish-këshilltari bashkiak në bashkinë e Tiranës dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Akil Kraja në një lidhje të drejtpërdrejtë në Ora News me gazetarin Arnold Kariqi u shpreh se thelbi i komisionit hetimor nuk është të nxjerrë në pah  elementët përmbajtësore të këtij skandali.

Kraja: Qëllimi është të ndëshkohen fajtorët. Unë kam besim se një ditë do dënohen fajtorët. Është kaq e madhe, e dukshme dhe flagrante shkelja e ligjit në rastin e tre incineratorëve saqë është e pamundur të arrihet një lloj amnistie. Do ketë të ndëshkuar, të arrestuar dhe uroj të jenë ndëshkime shembullore që kurrë më një kryetar bashkie, kryeministër apo drejtor i një enti rregullator të marrë përsipër në mënyrë kaq flagrante një korrupsion të tillë. Është kaq e madhe, kaq skandaloze sa shpresoj të ketë ndëshkime shembullore.

Por a beson zoti Kraja se do ketë ndëshkime nga organet e rejat të drejtësisë?

Kraja: Kjo është fatkeqësi e madhe, drejtësia e re po vonon si drejtësia e vjetër. Drejtësia e re po vonon për të dhënë shembullin, kështu që të jem i sinqertë kam rezerva.

Kryeministri Edi Rama deklaroi dje për Zërin  e Amerikës se kush është i përfshirë në korrupsion duhet të mbajë përgjegjëse personale. Zoti Kraja tha se kryeministri nuk është në atë pozicion për të dhënë urdhra nëpërmjet rrjeteve sociale, por ai mban përgjegjësi kolektive sepse vendimet janë VKM, të Këshillit të Ministrave dhe përgjegjësia është e përbashkët. Si kryetar i Këshillit të Ministrave përgjegjësia e tij është e dhe më e madhe.

Zoti Kraja shtoi se dënimi duhet të jetë shembullor.

Kraja: Nuk duhet të jetë një dënim 2-3 vjet, por duhet të jetë një dënim shembullor për të gjithë individët, kryetarët e bashkive, Fierit, Elbasanit dhe Tiranës, ministrit, kryetarët e komisioneve të cilët nuk po thirren. Kush na jep siguri që në këto projekte mbetjesh nuk është përfshirë edhe mafia italiane e Ndraghetës? Duhet ta themi që në Itali për këto projekte janë arrestuar individë të lidhur me Ndraghetën.

Kraja tha se opozita ka 4 vite që ka denoncuar këtë krim. Në përfundim, Kraja tha se nëse ka një sprovë të fundit për të konfirmuar nëse reforma në drejtësi është ajo që shqiptarët prisnin është përmbyllja me sukses e dënimeve shembullore ndaj të gjithë individëve të përfshirë në skandalin e incineratorëve.