Nuk deklaroi pasurinë në formular, ILDKPI-ja kallëzon në prokurorinë e Tiranës, Emëror Kasaj

Një nga prokurorët e Gjirokastrës, është kallëzuar penalisht nga Inspektorati i Deklarimit të Pasurive në prokurorinë e Tiranës, për veprën penale të “Mosdeklarim të pasurisë” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale”.

Bëhet fjalë për prokurorin Emëror Kasaj, i cili këtë javë është denoncuar zyrtarisht nga ILDKPI, për dy akuzat e mësipërme.

Mbërritja e kallëzimit në prokurorinë e kryeqytet ndaj këtij prokurori, është konfirmuar zyrtarisht dhe nga burime pranë kësaj prokurorie, të cilat thanë se materiali kallëzues është ende në fazën e verifikimit.

Sipas kallëzimit të ILDKPI-së, prokurori i Gjirokastrës, Emror Kasaj, ka fshehur të ardhura dhe nuk i ka deklaruar pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit  të Pasurive dhe Konfliktit të interesit, vlera monetare me qëllim fshehjen e tyre.

Dyshohet se prokurori ka raportuar të dhëna të rreme në procesverbalin e deklarimit dorëzuar pranë ILDKPI-së.

Burimet shprehen se ekzistojnë dy kontrata noteriale, që paraqesin mjaft dyshim, pasi në to nuk pasqyrohet realiteti i çmimit dhe as të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, dhe si rrjedhojë kemi të bëjmë me të dhënave të rreme.

Madje ka një mospërputhje të blerjes së një pasurie prej 1000 m2 tokë dhe 990 m2 objekt ndërtim në kryeqytet, në vlerën e 5.000.000 lekëve, çka ngreh dyshime të besosh se një pasuri e tillë është blerë në këtë vlerë monetare.