Anëtarësimi i Ukrainës në NATO/ Ambasadori tërheq deklaratën si keqkuptim: Kërkojnë bisedime me rusët, nuk duam luftë
Edhe kjo fillimjavë ka nisur me sulm të fort diplomatik që të mos ketë luftë në Ukrainë.
Deklarata e ambasadorit ukrainas në Londër, Vadym Prystaiko, i ka dhënë kthesë tjetër gjithë tensionit në kufi mes Ukrainës dhe fqinjit rus ndërsa shkaktoi edhe një stuhi diplomatiko-mediatike. Diplomati foli për mundësinë e anëtarësimit të vendit të tij në NATO, ndërsa la të nënkuptohet se mund të ketë diskutime për këtë çështje, sepse Ukraina kërkon zgjidhjen më të mire dhe ka fleksibilitet për të mos vajtur në një luftë të përgjakshme.
Në intervistën e dhënë për BBC-në ai solli në vëmendje se Kievi ka si synim strategjik anëtarësimin në NATO, por duhet të jemi fleksibël për të gjetur zgjidhje, sepse duhet të bëjmë diçka, tha diplomati. Jemi të vetëm në këtë përballje, sepse vendet rrotull kanë aleancat e tyre ushtarake, kurse Ukraina duhet ta përballojë e vetme luftën.
Një nga kërkesat thelbësore ruse është që Ukraina të mos bëhet kurrë anëtare e bllokut ushtarak veriatlantik – diçka për të cilën Kievi deri më tani nuk ishte prononcuar publikisht.
Kjo deklaratë u shpërnda me shpejtësi rrufe në redaksitë e lajmeve dhe kancelaritë ndërkombëtare se Ukraina ishte duke hequr dorë nga NATO. Ambasadori, njëkohësisht dhe ish-ministri i Jashtëm i Ukrainës, Vadym Prystaiko, u detyrua të dilte sërish publikisht dhe të thoshte se deklarata e tij ishte keqkuptuar.
Të njëjtin qëndrim kishte edhe Kievi zyrtar për deklaratën e tij, ku tha se ajo është nxjerrë nga konteksti, pasi bërja pjesë e NATO-s është interes strategjik i Ukrainës.
Ministri i Jashtëm ukrainas ndërkohë, Kuleba, ka kërkuar një takim urgjent me Rusinë dhe shumë shtete evropiane, për të marrë një shpjegim, sipas tij, lidhur me grumbullimin e mbi 130 mijë forcave ushtarake ruse në kufi me Ukrainën.
“Ukraina po thërret një takim me Rusinë dhe të gjitha shtetet anëtare në 48 orët e ardhshme për të diskutuar për lëvizjet e trupave ruse përgjatë kufirit tonë”, tha ministri.
Këtë fillimjavë mbërriti në Kiev edhe kancelari gjerman Olaf Scholz ku do të takohet me homologun ukrainas Zelenski. Scholz vjen në Kiev pas takimit që pati me shefin e Shtëpisë së Bardhë Biden dhe të martën do të jetë në Kremlin për takim me presidentin Vladimir Putin. Francezët dhe gjermanët janë të interesuar që situata e tensionuar të zgjidhet me dialog, ndërsa amerikanët i kanë lënë të hapura të gjitha mundësitë, ndërsa topin e kanë hedhur në krahun rus duke thënë se është më mirë të zgjedhim diplomacinë se luftën.
Rusia ka pozicionuar mbi 130 mijë trupa të armatosur rëndë në tre pozicione kufitare me Ukrainën. Vendi druhet nga një pushtim i mundshëm, ndërsa inteligjenca amerikane thotë se sulmi mund të ndodh nga dita në ditë. Ukrainasit, ish-republikë sovjetike, kërkojnë që të jenë të lirë ta zgjedhin vetë se si duan që ta ndërtojnë të ardhmen, në Bashkim Evropian, në NATO dhe një vend demokratik që lufton korrupsionin.
Në krahun tjetër, rusët thonë se një vend anëtar i NATOS fqinj me ta cënon sigurinë e Kremlinit. Më herët rusët dorëzuan kërkesat e tyre me shkrim, duke kërkuar, ndër të tjera, garanci që NATO, blloku ushtarak i udhëhequr nga SHBA, nuk do të zgjerohej në Ukrainë.
Negociatorët perëndimorë kanë thënë se çdo marrëveshje e tillë është jashtë tryezës, sepse vendet janë të lira ta zgjedhin si duan orientimin e tyre, ndërsa propozuan masa dhe marrëveshje që do të rrisnin transparencën në lidhje me planet ushtarake të secilës palë.
Rusët ende nuk kanë kthyer përgjigje për këtë transparencë ushtarake që kërkojnë amerikanët, ndërsa kanë thënë se janë duke përgatitur përgjigjen e tyre për kërkesat amerikane.
