Në qendër të vëmendjes mbetet Kina/ Blinken udhëton drejt Australisë, aleanca në Indo-Paqësor

Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken ka nisur këtë fillim javë një tur takimesh në shtetet e Azi-Paqësorit, në Australi, Haëai dhe Fixhi. Forcimi i mëtejshëm i aleancave për të kontrolluar ekspansionin kinez është në fokus të këtyre takimeve.

Takimi më i rëndësishëm është në Australi, ku marrin pjesë anëtarët e të ashtuquajturës katërshja: Ministri i Jashtëm Australian Payne, ministri  japonez të Punëve të Jashtme Hayashi Yoshimasa, Ministri indian i Punëve të Jashtme Subrahmanyam Jaishankar dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Më herët Kina dhe Rusia folën për një partneritet strategjik mes tyre. Për ekspertët e gjeopolitikës ata synojnë që të ndryshojnë rendin ndërkombëtar, dhe dy fuqitë e mëdha aziatike që janë njëkohësisht edhe fuqi bërthamore kanë tërhequr vëmendje gjithnjë e më të madhe amerikane.

Amerikanët janë të shqetësuar për rritjen e fuqisë ushtarake kineze, teksa pikat kryesore të bisedimeve me aleatët do të jetë për të çuar përpara përpjekjet diplomatike në lidhje me denuklearizimin e Koresë së Veriut dhe diskutimet mbi shqetësimet për Ishujt e Paqësorit, ku zyrtarët amerikanë besojnë se Kina dëshiron të vendos baza ushtarake.

Më herët ka qenë presidenti Biden që tha gjatë takimeve me udhëheqësit aziatikë se Shtetet e Bashkuara do të nisnin bisedimet për një Kornizë të re Ekonomike Indo-Paqësore.