SHBA dërgon 3000 trupa ushtarakë në Poloni e Rumani/ Reagon Rusia: S'ka më zgjidhje, hap shkatërrues i Amerikës
Zv/ministri i Jashtëm rus Aleksander Grushko ka reaguar lidhur me dërgimin e 3000 trupave amerikane në Poloni e Rumani, si pasojë e kërcënimit të Rusisë.
Diplomati rus u shpreh se veprimet e SHBA do ta vështirësojnë gjetjen e një kompromisi mes palëve, duke e quajtur dërgimin e trupave amerikane në lindje të Evropës si një hap shkatërrues që do të rrisë edhe më tej tensionin ushtarak dhe do të zvogëlojnë mundësinë për zgjidhje diplomatike.
Shtetet e Bashkuara kanë dërguar afro 3000 trupa për në Gjermani, Poloni e Rumani në mbështetje të aleatëve të NATO-s kundër kërcënimit rus në Ukrainë.
Pasi Rusia refuzoi të tërhiqte 100 mijë trupat në kufirin e Ukrainës, Biden urdhëroi dërgimin e rreth 1000 trupave në Rumani e 2000 të tjerëve në Gjermani e Poloni.
Fuqitë perëndimore janë angazhuar në mënyrë diplomatike duke kërcënuar me sanksione presidentin rus Putin pas kërcënimeve në rritje të Rusisë kundrejt Ukrainës.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz njoftoi të mërkurën se së shpejti do të udhëtojë në Moskë për të diskutuar krizën, ndërsa edhe presidenti francez Macron ka dhënë sinjale se do të takohet në vazhdim me presidentin Putin.
Pentagoni ka deklaruar se asnjë ushtar amerikan nuk do të dërgohet për të luftuar në Ukrainë, e cila nuk është anëtare e NATO-s, e të njëjtën gjë ka thënë edhe kreu i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Jens Stoltenberg.
Nga ana tjetër, Ukraina ka filluar mobilizimin e mbrojtjes dhe rekrutimin e vullnetarëve për t’iu përgjigjur agresionit rus, duke e bërë këtë edhe pa mbështetjen e perëndimorëve të cilët nuk do të ndërhyjnë nëse fillon lufta.

