Turqia krah Amerikës për Ukrainën, Erdogan armatos Kievin

Turqia po kërkon ta përdorë fort kartën e saj të NATO-s dhe të miqësisë me rusët për t’u bërë një negociator i suksesshëm për uljen e tensioneve Rusi – Ukrainë.

Së fundmi, Turqia ka filluar dërgesat e armatimeve të sofistikuara drejt Kievit. Ata kanë dal kundër rusëve në këtë rast duke tentuar të rikthehen si një partner i besueshëm amerikan dhe i NATO-s, ndërsa theksuan se nuk do të tërhiqen nga marrëveshjet e planifikuara të armatimit të Ukrainës, duke përfshirë shitjen e mundshme të dronëve special.

Bashkëpunimi ushtarak mes Ankarasë dhe Kievit nuk synon Rusinë dhe nuk do të ndërpritet për ta kënaqur atë, tha zëdhënësi i Presidentit Erdogan, Fahrettin Altun. Ukraina dhe Turqia do të firmosin këtë të enjte një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ku bën pjesë edhe tregtia e lirë mes dy vendeve gjatë takimit mes homologëve Zelenski dhe Erdogan në Kiev.

Turqia është shfaqur si një mbështetëse e fuqishme e Ukrainës në vitet e fundit, duke i shitur asaj dhjetëra drone Bayraktar, të cilat Kievi i përdori për herë të parë vitin e kaluar në rajonin e Donbasit. Në të njëjtën kohë, Erdogani ka arritur të mbajë lidhje mjaft të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin, gjë që nuk është parë me sy të mirë nga aleatët në NATO, duke përfshirë SHBA-në. Turqia ndërkohë, po kërkon t’i përdorë këto marrëdhënie për të ndërmjetësuar midis Rusisë dhe Ukrainës për të zbutur krizën e fundit kufitare.

Eksportet e Turqisë në Ukrainë pothuajse u dyfishuan në pesë vjet, teksa në vijim të dyja vendet duan të rrisin vëllimin e tregtisë në 10 miliardë dollarë në vit në vijim. Ndërkohë, sa i përket marrëdhënieve me Rusinë, vendimi i Erdoganit në vitin 2017 për të blerë sistemin e mbrojtjes ajrore S-400 nga Rusia solli sanksione amerikane ndaj Turqisë që synonin industrinë e saj të mbrojtjes, por nuk e bindi atë të tërhiqej.

Turqia i është rikthyer aleancës strategjike me amerikanët, teksa dy zyrtarët e lartë Jake Sullivan dhe Ibrahim Kalin, këshilltarë për sigurinë kombëtare pranë udhëheqësve përkatës, kanë rënë dakord për të "frenuar agresionin e mëtejshëm rus kundër Ukrainës", sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë. Propozimi që për krizën të ndërmjetësojë Erdogani nuk ka marrë ende përgjigje nga Rusia.

SHBA po përpiqet të minimizojë numrin e bashkëbiseduesve me Putinin dhe udhëheqësi rus ngjan se beson se mënyra më e mirë për të zgjidhur konfliktin e Ukrainës është përmes bisedimeve të drejtpërdrejta dypalëshe me Shtëpinë e Bardhë, dhe jo nëpërmjet ndonjë pale të tretë.

Turqia ka qenë mbështetëse e komunitetit tatar në Krimenë e pushtuar nga Rusia, por nuk iu bashkua sanksioneve kundër Rusisë në vazhdën e pushtimit të vitit 2014. Tatarët myslimanë turq ishin shumicë derisa Stalini i detyroi ata të largoheshin dhe miliona u zhvendosën në Turqi. Rusia ka uzurpuar Krimenë dhe “gjërat nuk mund të vazhdojnë me një mentalitet pushtimi”, tha Erdogan më 17 janar./Ora News/