6 marsi test i pozitës? Ndoka: Grupi i Rithemelimit është bazamenti, aty është historia e opozitës
Për 6 bashkitë e vendit në datën 6 mars do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme lokale. Në Durrës, Vorë, Rrogozhinë, Shkodër, Dibër dhe Lushnje qytetarët do të votojnë për të zgjedhur kryetarin/kryetaren e bashkisë. Por këto zgjedhje e gjejnë kampin opozitar të ndarë në dy pjesë pasi Lulzim Basha do të hyjë në zgjedhje me kandidatët e vet, ndërsa Komisioni i Rithemelimit me kandidatët e vet.
Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka në një lidhje të drejtpërdrejtë në Ora News me gazetarin Arnold Kariqi u shpreh se ky test është mjaft i rëndësishëm për politikën në tërësi, por edhe për opozitën.
Ndoka: Unë do ta gjykoj të rëndësishme në njëfarë mënyre edhe rrugëtimin e opozitës, edhe formëzimin e një opozite realisht për të nxjerrë në këto zgjedhje përfundimisht kryetarin e opozitës.
Përplasja Berisha-Basha do t'i ndajë zgjedhjet në dy kandidatura. A do ta lehtësojë kjo pozitën e mazhorancës?
Zoti Ndoka tha se zoti Rama nuk do jetë komod për faktin që ai ka konsum maksimal të pushtetit të tij.
Ndoka: Opozita besoj se do ketë një dimension tjetër në tërësi. Grupi i Rithemelimit të PD është bazamenti, aty është elektorati, aty është historia e kësaj partie. Shtoji kësaj edhe disa parti të tjera politiko-opozitare që padiskutim do japin kontributin e tyre politik me kandidatët që do dalin nga primarja. Është shumë i rëndësishëm ky element. Primarja është përcaktimi real i kandidatëve, cilët janë ata kandidatë që kanë peshë dhe mbështetje. Është hera e parë që futet ky model dhe kjo e asfikson edhe pjesën e mbetur të PD-së, pjesën e Lul Bashës. Kjo risi u fut për herë të parë me Kuvendin e 11 Dhjetorit ( të thirrur nga Sali Berisha.) Besoj se do ketë rezultat surpzirë.
A do fitojë opozita bashki në situatën në të cilën ndodhet?
Zoti Ndoka u shpreh optimist. Ai tha se opozita mund të fitojë jo vetëm një, por mund të fitojë shumicën e tyre sepse është edhe një test për qytetarët shqiptarë. Elektorati i majtë, sipas tij, do ta ndëshkojë me vota qeverisjen e Edi Ramës dhe papërgjegjshmërinë e tij në raport me këta drejtues lokalë.
