Basha: Rama-Berisha Meta janë bashkë, kordinojnë sulmin për shkatërrimin e PD dhe finacojnë “Foltoren”

Lulzim Basha në takimin që ka mbajtur me demokratët e degës 2 në Tiranë, është shprehur se Sali Berisha, Edi Rama dhe Ilir Meta janë bashkë.

Ai tha se njëri koordinon sulmin kundër PD tjetri e financon ‘Foltoren’ dhe flet me gjuhën e Foltores edhe në Parlament, ndërsa sipas tij tjetri e zbaton planin për të shkatërruar Partinë Demokratike

Lulzim Basha: Në qoftë se kemi mësuar diçka në këto muaj, të gjithë të tjerët janë bërë bashkë me Edi Ramën. I patë mbrëmë si flasin njësoj, mbajnë të njëjtat qëndrime, përdorin të njëjtat terma, kanë të njëjtën gjuhë, i bashkon i njëjti hall, që nuk është halli i shqiptarëve, është halli i karrigeve të tyre personale, i fatit të tyre personal. Në raport me atë që i kanë hyrë në hak shqiptarëve. 

Njëri koordinon sulmin kundër Partisë Demokratike, tjetri e financon Foltoren dhe flet me gjuhën e Foltores edhe në Parlament, edhe në qeveri, edhe në ekran, tjetri e zbaton planin për të shkatërruar Partinë Demokratike. Edhe ata janë bashkë, mos keni iluzione. Hiqni çdo iluzion. Janë bashkë, Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta, janë të tre bashkë, janë bashkë prej hallit që i lidh bashkë, dhe janë bashkë për të shkatërruar Partinë Demokratike. Mos keni asnjë iluzion.

Ai tha se Berisha, Rama e Meta nuk kanë për t’ia arritur qëllimit që sipas tij është shkatërrimi i PD.

Lulzim Basha: Sigurisht që nuk kanë për t’ia arritur, përkundrazi, ajo që shoh dhe prek me sytë e mi, pa pasur nevojë për ndërmjetësimin e ekranit, është një vendosmëri në rritje e demokratëve, një vetëdije në rritje të demokratëve. Kjo parti, quhet Partia Demokratike, ka kaluar edhe periudha të vështira, por përbëhet nga demokratë.