Basha kthen vijat e kuqe, mbështetje për të përndjekurit, pronarët dhe legalizimet
Të përndjekurit politik, pronarët dhe legalizimet do të jenë në qendër të programit të PD. Në takimin me anëtarët e kësaj force në tiranë, Lulzim Basha akuzoi Metën, Ramën e Berishën për bashkëpunim teksa theksoi angazhimin për integrimin dhe rritjen ekonomike.
Në prag të nisjes së fushatës për zgjedhjet e parakohshme në 6 bashki, kryetari i partisë demokratike ka intensifikuar takimet me anëtarësinë e kësaj force politike. Në degën dy në tiranë ai ka sjellë në vëmendje disa nga nismat e selisë blu të cilat nuk janë realizuar. Por shtoi se kjo do të shërbejë për tu përmirësuar.
“Kemi padiskutim edhe gabimet tona, një pjesë të përgjegjësive për ato premtime të pambajtura si fjala bie në raport me dy shtresa shumë të rëndësishme që nuk kanë ku të përplasen tjetër, nuk kanë shtëpi tjetër, janë pa shtëpi në qoftë se Partia Demokratike nuk është shtëpia dhe çatia e tyre, të përndjekurit dhe pronarët. Në zonat informale ku na thonin “ku e keni legalizimin që na e premtuat?!”. Tek pronarët që na thonin “ku i keni pronat që na i premtuat?!” Tek të përndjekurit, tek sipërmarrja. E pra miqtë e mi, dy gjëra i dimë fare mirë: Të ndryshosh, do të thotë të përmirësosh."
Megjithatë basha shtoi se PD është e vetmja opozitë ndaj akuzoi Berishën, Metën e Ramën për bashkëpunim
“Janë të tre bashkë, janë bashkë prej hallit që i lidh bashkë, dhe janë bashkë për të shkatërruar Partinë Demokratike. Mos keni asnjë iluzion. Sigurisht që nuk kanë për t’ia arritur, përkundrazi, ajo që shoh dhe prek me sytë e mi, pa pasur nevojë për ndërmjetësimin e ekranit.”
Në takim Basha nuk harroi të ftohte për bashkim kritikët e tij, teksa i ndau në disa kategori
“Dhe së fundmi dy mesazhe. U përmendën disa që na mungojnë. Ndahen në dy grupe; një pakicë përfituesish, që nuk kanë ndërmend të vijnë këtu, sepse e dinë që se kanë vendin këtu, sepse nuk iu shohin dot në sy, as ju, as ata që përfaqësoni ju. Po them të vërtetën apo jo? Pse s’iu shohin dot në sy? Sepse kanë shkelur mbi sakrificat tuaja, kanë shkelur mbi djersën tuaj, si në opozitë, ashtu dhe në pushtet.”
