“6 marsi”, Balla: S’jemi në garë me opozitën, në Lushnje do qeverisim edhe pas mandatit
Kreu i grupit parlamentar Taulant Balla në cilësinë e drejtuesit politik të qarkut Fier për PS ka inspektuar sot punimet për rikonstruksionin e bulevardit të palmave dhe rrugës së ‘Varrezave të Dëshmorëve në Lushnjë’.
Ndërkohë në një deklaratë për mediat teksa ka folur për zgjedhjet e 6 marsit, në 6 bashki ai është shprehur i bindur se PS do i fitojë zgjedhjet në bashkinë e Lushnjes.
Balla tha se nuk janë në garë me opozitën, ndërkohë tha se po diskutohet për zgjedhjen e kandidatit më të mirë për të marrë pjesë në zgjedhje.
Taulant Balla: Ne nuk jemi në garë me opozitën. ne do të qeverisim në Lushnje jo në këtë pjesë të mandatit të mbetur por do të vazhdojmë të qeverisim në qeverisjen vendore në Lushnje edhe pas përtej mandatit që fillon në 2023. Kemi një numër të madh kandidatësh. Duhet të konsultosh me të gjithë për të kuptuar se kush është personi që do i besojmë për të çuar përpara këto projekte. Ajo që është e rëndësishme është se PS e Lushnjes është e Bashkuar dhe do të jetë një nga fitoret më të mëdha që ka hasur PS.
Ditën e djeshme PS bëri me dije emrat e 5 kandidatëve në 5 bashki, ndërkohë Balla pas mbledhjes së Kryesisë tha se kandidati i Lushnjes do të shpallet në Lushnje.
