Ora News në aksin Elbasan-Qafë Thanë, 24 orë monitorim nga policia për shkak të ngricave
Elbasan-Qafë Thanë është një prej rrugëve që kthehet e rrezikshme kryesisht gjatë dimrit.
Për shkak të terrenit që përshkon, në disa zona ka rrëshqitje të vazhdueshme gurësh, ndërsa në pjesë të tjera rreziku vjen nga ngricat që krijohen në rrugë.
Kamera e Ora News vëzhgoi situatën së bashku me një nga patrullat e policisë rrugore të Elbasanit.
"Jemi duke patrulluar 24 orë në aksin rrugon Librazhd-Qafë Thanë. Për sa i përket situatës është nën kontroll, nuk kemi probleme."
"Nuk ka probleme për qarkullimin dhe lëvizjen e mjeteve."
Fatmirësisht në këto ditë me temperatura të ulëta nuk ka pasur aksidente fatale, ndaj blutë janë përqendruar në monitorim 24 orësh dhe këshillimin e shoferëve.
"Në këto kushte drejtuesit e mjeteve duhet të jenë të pajisur me goma dimërore, me zinxhirë dhe në rast se është e nevojshme t'i përdorin."
Ngricat që u krijuan nga temperaturat që shkuan deri në -20 gradë kanë krijuar probleme në shumë akse nga jugu në veri.
Por, sipas ARRSH-së, vetëm në akset Qafë-Thore Theth dhe Kukës-Shishtavec qarkullimi bëhet me zinxhirë.


