"Ballkani mes BE dhe Rusisë", Sllovenia: Nëse BE nuk zgjerohet, do të zgjerohet Rusia e Kina
Në orët e fundit të Presidencës sllovene të Këshillit të BE-së, kryeministri slloven Janez Jansha ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet të anëtarësojë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ato të Lindjes, pasi nëse nuk e bën, i hap rrugë zgjerimit të Rusisë e Kinës.
Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha ka folur për burokracitë që ka hasur presidenca sllovene e Këshillit të BE-së nga vendet anëtare në 6 muajt që po lëmë pas, lidhur me anëtarësimet e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Lindjes në unionin evropian.
Kryeministri konservator gjatë një intervistë për një televizion në Lubjanë tregoi rrezikun me të cilin mund të përballen vendet e Ballkanit Perëndimor apo ato të lindjes, nëse nuk anëtarësohen në BE, duke iu referuar ndikimit të Rusisë dhe Kinës në këto shtete.
Jansha: BE-ja duhet të zgjerohet, nëse Bashkimi Evropian nuk e bën këtë, atëherë do ta bëjë dikush tjetër.
Kryeministri Jansha më tej tregoi se presidenca sllovene arriti të aktivizohej konkretisht për anëtarësimin e Ballkanit dhe Lindjes.
Jansha: Gjatë udhëheqjes së presidencës së Këshillit të BE-së, Sllovenia arriti të rikthente termin perspektivë anëtarësimi në dokumentet për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Lindjes, në vend të termit perspektivë evropiane. Një nga sukseset strategjike të Sllovenisë në këto 6 muaj është kthimi në tryezë i zgjerimit si një nga projektet kryesore e strategjike të BE-së.
Jansha fajësoi nën zë vendet anëtare se nuk ishin realisht të përkushtuara për anëtarësimin e shteteve ballkanike dhe atyre lindore
Jansha: Ukraina ose Serbia kanë perspektivë evropiane sepse janë në Evropë, por donin perspektivën e anëtarësimit. Ishte vështirë të shkruhej në dokumente dhe për të duhej të luftohej.
