Ndërrimi i viteve sërish në çadër, jetesë në kushte të vështira ekonomike, kërkojnë ndihmën e shtetit

Në zonat rurale projekti i rindërtimit nuk ka mbërritur ende. Shumë familje në fshatrat e Kurbinit e Klosit prej vitit 2019 jetojnë në çadra. Vitin e ri do ta presin po aty teksa kërkojnë nga shteti t`i ndihmojë.

Për gjashtë anëtarët e familjes Murati në Kurbin as këtë vit nuk do të ketë festë.

Për të tretin vit, motet i kanë pritur e përcjellë brenda kësaj çadre.

Banesa e tyre u shkatërrua nga tërmeti i 26-nëntorit të vitit 2019-të e që prej asaj kohe jetojnë në kushte shumë të vështira.

Ky nuk është i vetmi hall. Në vështirësi gjenden edhe ekonomikisht.

Shpresën se do t`i ndërtohet një strehë e re e ka humbur, por institucioneve iu bën thirrje që t`i kthejnë sytë nga familja e tij e madhe.

Edhe Mehmet Kacelin nga fshati Bel i Klosit viti i ri e gjen në çadër.

Çadra e dhuruar dy vite më parë është dëmtuar, me të e ka të vështirë të përballojë të ftohtin e dimrit.

Shpreh pakënaqësi dhe zhgënjim nga institucionet e pushtetit vendor që janë treguar indiferent ndaj dramës së tij të madhe.

Në Bashkinë Klos janë mbi 10 familje të cilat që prej 26 Nëntorit të vitit 2019 vijojnë të jetojnë në çadra.