Ndërrimi i moteve në Voskopojë, fshati juglindor pret turistë vendas dhe të huaj
Juglindja mbetet e preferuara e vizitorëve për çdo festë. Me ajrin e pastër, ndërtesat karakteristike me gurë dhe gatimet tradicionale, Voskopoja mirëpret edhe këtë vit turistët nga çdo qytet, brenda e jashtë vendit.
Janë larguar nga qytetet e zhurmshme për të festuar ndërrimin e moteve në qetësinë që të fal fshati.
Në rrugët e gurta të Vokopojës gjen turistë nga të katërta anët e vendit.
E kanë zgjedhur fshatin juglindor për natyrën e rrallë, ajrin e pastër dhe mikpritjen e ngrohtë.
“Kam ardhur me familjen, por kemi ardhur për ekskursione shumë herë këtu. Janë të bukura të gjitha ndërtesat. Kemi qenë dhe do të vijmë prapë. Më pëlqejnë shumë njerëzit, janë shumë të dashur. Zbukurimet më mirë se në Shkodër. Por për pjesën e qejfit dhe aventurave jo njësoj."
Të kënaqur me atë çfarë ofron Voskopja janë edhe të vegjlit të cilët shpresojnë që viti i ri të sjellë reshje bore.
“Dëgjova se do binte borë dhe erdha. Kam ngrënë petulla dhe bakllava."
Ervis Theodhori ka ardhur nga Dubai për të festuar Vitin e Ri në Voskopojë. Mbi çatitë e shtëpive karakteristike ka ngritur dronin për të filmuar bukuritë e fshatit e për ta promovuar atë në Lindjen e Mesme.
"Veskopoja është një fshat shumë i bukur. Më duhen ca plane për në Intsagram. Të tregoj në Dubai se sa bukur është Veskopoja.”
Përveç Voskopojës, Dardha dhe Korça mbeten po aq të preferuar nga turistët shqiptarë dhe të huaj për të festuar ndërrimin e viteve.





