Biden: Nëse kandidon Trump, do garoj për president në 2024-ën

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden ka dhënë një intervistë për ABC News ku është pyetur lidhur me zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Ai ka thënë se do të kandidonte nëse do ishte në gjendje shëndetësore, por nëse Trump do të garonte, do të kishte më shumë mundësi për të kandiduar.

Ndërsa nuk ka mbushur ende 1 vit nga marrja e detyrës, presidenti Joe Biden ka deklaruar në një intervistë për ABC News se ende nuk ka vendosur konkretisht nëse do të rikandidojë në 2024.

Biden: Fati ka ndërhyrë në jetën time shumë e shumë herë, por nëse do jem në gjendjen shëndetësore që jam tani, atëherë do të rikandidoja.

Gazetari e provokoi sërish, duke e pyetur se çdo të bënte nëse Donald Trump do të rikandidonte.

Biden: Po më tundoni tani?! Sigurisht që do kandidoja kundër Trumpit nëse do të ishte i nominuar. Madje kjo do të rriste mundësinë që të garoja.

Më herët nga Shtëpia e Bardhë është lënë të kuptohet se zv/presidentja Kamala Harris do të ishte pasardhësja e Biden, por thashethemet që qarkullojnë në Uashington thonë se Biden dhe Harris nuk kanë marrëdhënie të fortë.

Ish-presidenti Donald Trump ka lënë të kuptohet se do të rikandidojë për zgjedhjet presidenciale në 2024, madje si zv/president do të kandidojë guvernatori i Floridas Ron De Santis që shihet si një nga shtyllat më të forta të Republikanëve.