Austria emëron kancelarin e ri/ Partia Popullore në pushtet e emëroi njëkohësisht dhe kryetar partie

Karl Nehammer, i cili aktualisht mban postin e ministrit të Brendshëm pritet të zgjidhet Kancelari i Ri i Austrisë pas valës së dorëheqjeve në qeveri.

Lajmin e bëri të ditur vetë Nehammer, i cili do të jetë njëkohësisht edhe kryetar i Partisë Popullore të Austrisë.

“Dëshiroj të njoftoj se sot jam emëruar në mënyrë të njëzëshme nga kryesia e Partisë Popullore si kryetar partie dhe njëkohësisht kandidat për kancelar”, tha Nehammer para gazetarëve.

Me ardhjen e Karl Nehammer kancelar, partia në pushtet do të riorganizojë edhe kabinetin qeveritar. Disa emra të rinj do të zëvendësojnë ministrat e larguar, kurse disa të tjerë do të kthehen në postet e kaluara.

Nehammer do të jetë zgjedhja e tretë e partisë për kancelarin brenda disa javësh, pasi Sebastian Kurz u largua nga pushteti në tetor, për shkak të një skandali për korrupsion.

Ky vendim nuk e goditi vetëm partinë më të madhe në Austri, por edhe qeverinë, të cilën Kurz e udhëhiqte deri në muajin tetor. Vetëm pak orë më vonë, të njëjtin veprim e bëri edhe pasardhësi i Sebastian Kurz-it, Alexander Schallenberg, i cili drejtoi qeverinë austriake për 52 ditë.

Turbulencat politike në Austri duket se tashmë janë qetësuar, pas valës së dorëheqjeve që vijoi me ministrin e Financave, Gernot Blümel.

Ndërkohë të premten dorëheqje dha edhe ministri i Arsimit, Heinz Fassmann. Tani i përket presidentit të Austrisë, Alexander Van der Bellen, që ta pranojë nominimin e Nehammer-it dhe ky i fundit të betohet, gjatë javës së ardhshme.