Arapi i kënaqur për debutimin te Teuta. Brdariç: Kartoni i kuq, një ndërhyrje idiote
Një barazim 1-1 nuk ka kënaqur asnjë prej skuadrave të Teutës dhe Vllaznisë por për trajnerin Renato Arapi është një hap i mirë teksa vuri theksin te mbrojtja për përmirësuar.
“Gjatë këtyre ditëve jemi marrë me pjesën e mbrojtjes, shpresoj të bëjmë më mirë në këtë pjesë në javët në vazhdim dhe ka vend për përmirësim. Ekipi ka pësuar gola ndeshjet e fundit, kështu që menduam të bëjmë një lojë të ekuilibruar. Në pjesën e dytë tentuam ta fitonim ndeshjen. Fati na mungoi te rasti i Kevin. Në momente deçisive kemi probleme me vendosjen mbrapa, do mundohemi ta rregullojmë këtë problem. Ne kemi shënuar në çdo ndeshje. Sot tentuam ta fitonim ndeshjen, futëm të gjithë lojtarët me tipare sulmuese, tentuam të merrnim krahët, por nuk e arritëm. Duhet të bëjmë më mirë në pjesën e mbrojtjes, ky është problemi jonë, por kemi bërë më mirë se në të kaluarën, i ruajtëm ekuilibrat”, deklaroi trajneri i ri i Teutës.
Në kampin tjetër, ka pendesa për mënyrën sesi shkoi ndeshja madje për atë karton të kuq për të cilin trajneri Brdariç u bind që ndërhyrja ishte e rrezikshme dhe se lojtari bëri diçka jo pozitive.
“Unë dua të lavdëroj ekipin për përkushtimin, duke luajtur 60 minuta me një lojtar më pak. Ndaj kampionëve të sezonit të kaluar, ishte një ndeshje perfekte, nëse do të shënonim golin e parë, rezultati do të ishte pak më ndryshe. Ne fitojmë e humbim bashkë, ka raste që barazojmë. Ne nuk fituam se ishim me një lojtar më pak ndaj Skënderbeut e Teutës, ekipi ka shumë mentalitet, zemër dhe ka fuqinë që të kalojë këto telashe. Kartoni i kuq? Nuk e kam parë por kur e shoh është një veprim budallenjsh. Ishte ndoshta pak e ekzagjeruar. Por nuk e quaj një gabim të madh se Aralica donte të kapte topin, por e interpretoi situatën paksa gabim. Ishte një ndeshje e veçantë se ndryshuan trajner, ne bëmë këtë ndërhyrje budallaqe që mund të evitohej dhe gjërat mund të shkonin ndryshe po të mos ishte ajo situatë”, deklaroi trajneri gjerman i Vllaznisë./Ora News/.
