Me mision në Kosovë, oficeri italian çon për shërim në Romë 4-vjeçaren shqiptare që vuan nga diabeti

Oficeri italian Fabio Cervellieri ishte në një mision në Kosovë dhe teksa ishte në detyrë, ai u takua me një vajzë 4-vjeçare, e cila kishte diabet mellitus tip 1, të trashëguar.

Sipas mediave italiane, Cervellieri, pa asnjë hezitim, vendosi t’i mbulonte shpenzimet e së voglës për insulinë dhe një matës të glukozës në gjak dhe të kujdesej për të.

Po ashtu ai përveç blerjes së barnave kontaktoi mjekët e Spitalit Umberto I në Romë, për t’u siguruar që e vogla mund të kishte vizita specialistike dhe trajtime specifike për sëmundjen e saj.

Ai më pas ka marrë vajzën nën shoqërimin e të ëmës dhe e ka çuar tek spitali, ku të gjitha shpenzimet i ka paguar ai.

Gjesti i Cervellierit është komentuar shumë nga mediat italiane ku shkruan se veprimi i oficerit shkon përtej detyrave që duhet të kishte kryer ai.

 “Gjesti i bërë nga oficeri i policisë Fabio Cervellieri së bashku me të gjithë Regjimentin e Karabinierëve të MSU-së, shkon përtej detyrave që duhet të kishte kryer në shërbimin e tij jashtë vendit, i prekur nga ndjeshmëria dhe vëmendja e madhe ndaj të tjerëve”, shkruhet në një postim në Facebook të gazetës sociale italiane, Fanpage.it.