BE kritika Serbisë: Vizita e ministrave të Kosovës në Preshevë të ishte lejuar, të rishqytohet vendimi
BE i ka bërë thirrje Serbisë lidhur me vendimin e saj për refuzimin e vizitës së katër ministrave të Kosovës në Luginën e Preshevës.
Ka qenë Peter Stano, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, i cili është shprehur se Prishtina dhe Beogradi duhet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara më herët për normalizimin e marrëdhënieve të dy shteteve.
Stano: Ne presim që Serbia dhe Kosova t’i zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e së kaluarës, duke përfshirë këtu edhe marrëveshjen për vizitat zyrtare. Vizitat zyrtare janë një pjesë e rëndësishme e normalizimit të marrëdhënieve pasi ofrojnë një mundësi për më shumë ndërveprim dhe komunikim mes palëve. Sipas marrëveshjes, të gjitha vizitat duhet të kryhen në një mënyrë që të çojnë përpara procesin e normalizimit ose të kontribuojë në punën e përgjithshme në kontekstin e procesit të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Ai shtoi se vizita e ministrave të Kosovës ishte njoftuar në mënyrë adekuate në përputhje me marrëveshjen dhe prandaj është dashur të lejohet të zhvillohet.
Stano: Vizita e ministrave të Kosovës ishte njoftuar në mënyrë adekuate në përputhje me marrëveshjen dhe prandaj është dashur të lejohet të zhvillohet. I bëjmë thirrje Serbisë të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të lejojë që të bëhen vizita zyrtare që plotësojnë kushtet e mësipërme.
Kjo vizitë e ministrave të Kosovës nuk u lejua nga shteti serb të shtunën dhe kërkesa për vizitë në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë u refuzua pa arsye.
