Borell: Nevoja për dialog mes Serbisë e Kosovës e madhe, e vetmja mënyrë për të stabilizuar situatën

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në ditën e dytë të Samitit të NATO-s në Riga ka diskutuar edhe për Ballkanin Perëndimor.

Në fjalën e tij Borell tha se mes Serbisë dhe Kosovës ka pasur shumë tensione në muajt e fundit, por tani situata është më e qetë.

Ai theksoi se tanimë nuk ka mënyrë tjetër për të qetësuar situatën dhe se nevoja për një dialog është e madhe.

Borell: Kur flasim për Kosovën dhe Serbinë kishim shumë tensione në muajt e fundit. Tani situata është më e qetë, por nevoja për vazhdim, pra kthim në dialog, është e madhe. Nuk ka mënyrë tjetër për të stabilizuar situatën.

Ballkani Perëndimor mbetet një rajon strategjik për Bashkimin Evropian. Tre nga vendet e këtij rajoni janë anëtare të NATO-s dhe ne kemi lidhje të fortë me ta në perspektivën e zgjerimit të BE-së dhe për arsye të sigurisë. Stabiliteti i këtij rajoni është i rëndësisë së madhe për ne.