Ngjarja tragjike në Deçan, Elezi: Policia neglizhoi rastin, kemi një person të armatosur i cili endet i lirë dhe përbën rrezik për qytetarët
Tre persona u vrarë dhe një tjetër mbeti i plagosur më 26 nëntor pasi u hap zjarr drejt një autobusi me nxënës në Gllogjan të Deçanit.
Të vdekur mbetën shoferi i autobusit dhe 2 nxënës.
Drejtori për Sigurinë e Institutit për Studimet Ndërkombëtare, Bedri Elezi në një lidhje të drejtpërdrejtë në Ora News me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se mos-kapacitetet e mjaftueshme të institucioneve të policisë, përkatësisht policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencën për të siguruar informacionet e nevojshme për të dyshuarin janë një shqetësim.
Elezi: Ne në këtë rast ne kemi pasur disa probleme serioze, kemi pasur një degradim serioz të policisë së Kosovës në komunikim me medien. Në fillim policia e Kosovës nxitoi duke thënë se në këtë rast ka marrë pjesë vetëm një person, një veprim i cili në mendimit tim dëmton rëndë hetimet. Duke e cilësuar këtë akt si akt jo terrorist dhe duke i dhënë një epitet tjetër, mendoj se këto deklarime të ngutshme të policisë së Kosovës ishin të dëmshme për procesin, i cili tani po duket se është kompleks. Akoma nuk kemi gjeneralitetet e personit apo personave që dyshohet të kenë kryer sulmin dhe po ashtu kemi pasur një qasje jo profesionale dhe të Prokurorisë së Shtetit.
Zoti Elezi e quaj jo profesionale qasjen e Prokurorisë, pasi prokurori i Prokurorisë Speciale ju drejtua medieve duke i frikësuar dëshmitarët apo bashkëpunëtorët duke i treguar se të gjithë ata që fshehin autorin e krimit do të përgjigjen penalisht, një çështje që duhet të kryhet normalisht nga Prokuroria dhe qytetarët e Kosovës e dinë se nëse bashkëpunon me krimin procedohesh penalisht. Në këtë rast nuk ka nevojë ta thotë prokurori i Prokurorisë Speciale, sipas Elezit.
Elezi: Kjo situatë bëhet edhe më e vështirë nëse ne kemi një person të armatosur i cili endet i lirë dhe që është potencialisht i rrezikshëm për çdo qytetar.
Ai u shpreh se policia e Kosovës është vonuar që të marrë pjesë në vendin e ngjarjes, më pas nuk kishte rrethuar vendin e krimit dhe nuk kishte përcaktuar perimetrin. Gjithashtu kërkimet për autorin kishin filluar me vonesë. Sipas tij kjo ka ardhur për shkak të neglizhimit të rastit.
Dyshimet
Prokuroria doli me disa përfundime rreth pistave të hetimeve ku dyshohej se mund të kishte larje hesapesh mes konkurrentësh.
Zoti Elezi mendon se nuk kemi të bëjmë me një çështje të tillë, pasi veprimet, mënyra e organizmit të vrasjes dhe mundësia që personi apo personat ta kenë kryer vrasjen në mënyrë të mirë-organizuar nuk janë kapur nga drejtësia, janë profesionistë. Duke u bazuar në të gjitha këto, Elezi tha se dyshimet i orienton drejt një çështjeje tjetër; për ndonjë strukturë sekrete të cilat mundohen që Kosovën ta paraqesin një vend jo të sigurt.
Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti Xhuljana Zhuleku
