Nipi i Adem Jasharit në krye të FSK, Elezi: Kishte nevojë për ndryshim, mund të sjellë rezultate pozitive

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka emëruar Bashkim Jasharin në krye të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Zyra e Presidencës tha sot, 30 nëntor, se emërimi i tij është bërë pas propozimit të ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe rekomandimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Drejtori për Sigurinë e Institutit për Studimet Ndërkombëtare, Bedri Elezi në një lidhje të drejtpërdrejtë  në Ora News me gazetaren Matilda Mcini u shpreh se Forca e Sigurisë së Kosovës do të ketë një profesionalist në krye të saj i cili e njeh mirë punën dhe strukturën organizative. Për sa i përket polemikave nga ana e aktorëve të politikës për vendosjen e Bashkim Jasharit në krye të FSK, Elezi tha se është normale që opozita në Kosovë të reagojë për këto ndryshime që vijnë si rezultat i ardhjes së qeverisë së re.

Elezi: Komandanti i ri i FSK është një profesionist, po ashtu ai vjen nga një familje e nderuar dhe ka qenë pjesë e  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mund të themi se përpos arsyeve politike, mendoj se në kuptimin profesional komandanti i ri është i përgatitur në aspektin e sigurisë. Sa i përket reagimeve, janë normale të kemi reagime. Mendoj se FSK-ja kishte nevojë për ndryshime dhe këto ndryshime nuk mendoj që përbëjnë ndonjë dëm, përkundrazi mund të sjellin rezultate pozitive në të ardhmen për FSK.

Për sa i përket sfidave të Jasharit në drejtimin e FSK-së, zoti Elezi u shpreh se një ushtri e cila aspiron të jetë pjesë e NATO-s ka problemet e saj. Sfidat kryesore, sipas tij, janë reformat të cilat do të ndodhin. Pjesa tjetër e sfidave ka të bëjë me trajnimin e forcave të sigurisë, krijimi i njësive të veçanta që kanë të bëjnë me inteligjencën brenda FKS-së dhe parandalimi sigurisht është një sfidë që duhet të adresohet te njësitë inteligjente. Sipas Elezit, një nga sfidat më të vështira është krijimi i Shërbimit inteligjent ushtarak me të cilën do të përballet komandanti i FSK.

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti Xhuljana Zhuleku