Birësimet nga LGBTI+, Dodaj për Ora News: Të mos cenohet Shenjtësia e Familjes, duam të dëgjohet zëri ynë!
Në një intervistë për Ora News, Arjan Dodaj, Arqipeshkëvi i Arqidioqesës Tiranë-Durrës komentoi edhe debatin lidhur me birësimin nga një person i vetëm dhe nga LGBTI+.
Ai tha se së bashku me krerët e komunisteve fetare të tjera në vend kanë bërë një kërkesë që të respektohet shenjtësia e familjes.
Dodaj: Është e rëndësishme që Kodi i Familjes nuk është i cenuar. Ne jemi së bashku, ashtu sikurse thoshte Fishta, por akoma më shumë vlerat morale të popullit i kemi bashkë. Një ndër vlerat themelore është shenjtëria e familjes. Ne, së bashku me krerët e feve të tjerë, kemi bërë një propozim dhe një kërkesë që të merret parasysh për shenjtërinë e familjes.
Nuk mjafton që të kesh vetëm të drejtën e votës sepse janë disa tema shumë delikate ne sferën e moralit dhe etikës, ku ne jemi të detyruar që të japim kontributin tonë. Ne kemi bërë thirrje që të dëgjohet zëri ynë në këtë aspekt dhe ne jemi pro institucionit të familjes. Të jesh pro do të thotë të jesh pro për një të mirë që jo të gjithë e kanë dëgjuar.

