Dëbora na kap "mat" bllokime në verilindje e juglindje, fryhen lumenjtë

Reshjet e Dëborës të nisura që nga e hëna kanë shkaktuar problematika të mëdha në vend. Dhjetëra fshatra në Dibër,Korçë e Pogradec, kanë mungesë të energjisë elektrike, ndërsa disa zaan janë të bllokuara tërësisht. Niveli i lumenjve në Vjosë dhe Shkumbin është normalizuar dhe aktualisht nuk paraqitet rrezik për përmbytje.

Rruga e Arbërit u bllokua për disa orë të hënën dhe të martën për shkak të reshjeve të dëborës.

Reshjet intensive përfshinë të gjithë qarkun e Dibrës.

Dëbora shkoi deri në 15 centimetra në Peshkopi, ndërsa në zonat rurale ajo ka arritur më shumë se 20 centimetra.

Zona e Lurës është bllokuar tërësisht, ndërsa raportohet për mungesë të energjisë elektrike në disa fshatra, pasi janë këputur telat dhe janë shembur shtyllat.
Gjithashtu qarkullimi është bllokuar në Trebisht dhe disa fshatra të njësisë së Ostrenit.

Dëbora ka shkuar më shumë se 15 centimetra edhe në Kukës, Has e Tropojë ku nuk janë raportuar problematika.

Zone e Thethit që prej së hënës mbetet e bllokuar nga reshjet e dendura të dëborës.

Reshjet kanë përfshirë edhe juglindjen e vendit duke shkaktuar në disa zona edhe probleme me lëvizjen e mjeteve dhe energjinë elektrike.

E vështirë paraqitej situata në fshatin e Dardhës ku dëbora ka kaluar 30 centimetra, ndërsa aksi kalohet vetëm me zinxhirë.

Reshje intensive pati edhe në Voskopojë dhe drejt Kapshticës, ndërsa qarkullimi atje vijon normalisht.




Aktualisht fshati i bllokuar është fshati Panarit ku trashësia e dëborës ka arritur në 40 centimetra.

Në disa fshatra të Maliqit dhe Dardhasit në Pogradec disa fibra energjie kanë dalë jashtë funksionit duke lënë pa energji prej mbrëmjes së djeshme qindra familje.

Ndërkohë sa i takon lumenjve, drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile Haki Çako tha për “Ora Neës” se Vjosa dhe Shkumbini kanë hyrë në shtratet e tyre.

Erërat e forta dhe dallgët kanë sjellë problematika në Portin e Vlorës, ku një traget i linjës Vlorë-Brindisi me 129 nuk mundi të ankorohej për 6 orë në port.

"Skandaloze, skandaloze, kur këta zotërinjtë e panë në orën 22:00 mbrëmë që deti ishte shumë i acaruar përse niset?"

Gjithashtu vonesa me mbërritjen dhe nisjen e trageteve ka pasur edhe në Portin e Durrësit gjatë së hënës.