Nuk e vendosni rripin e sigurimit? Pas kësaj videoje nuk do e neglizhoni më

Për të kuptuar se sa i rëndësishëm është rripi i sigurimit, se sa siguri ofron ai për të arritur të sigurt në destinacion, është bërë një simulim në "Lungomare" Vlorë.

Makina e vendosur në një pajisje që simulon rrokullisjet, siç ndodh në rastet e një aksidenti është provuar nga dhjetëra qytetarë.

Në përfundim të eksperimentit qytetarët janë shprehur njëzëri "vendosni rripin e sigurimit, sepse ai shpëton jetë".

“Zbato rregullat e qarkullimit, për një destinacion të sigurt”, kjo ishte motoja e aktivitetit sportiv automobilistik “Gara e Flamurit”, me nisje nga Prizreni dhe mbërritje në Vlorë.

Aktivitetin e ndoqën nga afër Drejtori i Policisë Rrugore Altin Qato dhe përfaqësuesi zyrtar nga Projekti Suedez për Policimin në Komunitet, Hansi Shundi, të cilët dhanë mesazhe ndërgjegjësimi për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.

Në fokus të aktivitetit ishin zbatimi i sinjalistikës rrugore dhe vendosja e rripit të sigurimit, kombinimi mes autosportit, njohurive turistike dhe përmirësimi i aftësive drejtuese, eleminimi i veseve të këqija gjatë drejtimit të mjetit, si dhe përfitimi i njohurive në fushën e sigurisë rrugore.

Klubi i Auto Moto Touring Klubi Kombëtar Kosovë, që organizoi këtë aktivitet sportiv, kishte si qëllim garën sportive mes drejtuesve të automjeteve bazuar në saktësinë e të drejtuarit të automjeteve në kushtet e trafikut normal sipas normave të sjelljes, duke respektuar të gjithë rregullat e qarkullimit rrugor.

Aktiviteti u mbyll me testimin e garuesve, përsa i përket shkathtësisë dhe saktësisë në poligonin përkatës pranë Lungomares në Vlorë.