Masakra serbe në Poklek të Drenicës/ Dëshmia rrënqethëse e ish ushtarit të UÇK, Fadil Muqolli: Mblodhëm kockat çfarë kishte mbetur. Më e madhja sa një pako cigare
Nuk mund të kuptohen festat e nëntorit pa Kosovën.
Pa kujtuar heronjtë e luftës që dhanë jetën për atdheun. Të ftuar në studion e “Jeto me Orën” ishin tre të mbijetuar të familjeve dëshmore Muqolli, Deliu dhe Bilalli.
Të tre anëtarët e mbijetuar nga masakrat e serbëve rrëfyen në studio torturat që kanë përjetuar.
Fadil Muqolli rrëfeu për masakrën e 17 prillit në 1999 Poklek të Drenicës. Si forcat serbe kishin vrarë burra gra e fëmijë. Si i kishin mbledhur kockat për ti rivarrosur pas luftës.
“Masakra u kry në shtëpinë time. Në atë masakër mbetën të vrarë 14 anëtarë të familjes së ngushtë, dy prindërit, katër motra, bashkëshortja ime me 4 fëmijët e mi, 1 vajzë e 3 djem, bashkëshortja e vëllait tim me dy vajza. Unë kam qenë ushtar i UÇK.
Ne e dimin që civilët që ishin në fshat u larguan dhe dolën në Drenas. Nuk e dinim që ishin kthyer. I nxorrën nga shtëpia i kanë numëruar i kanë futur brenda. Pas 10 minutash kanë nxjerrë babën Sinanin dhe shkrimtarin Ymer Elshanin. I kanë nxjerrë në fund të oborrit dhe i kanë ekzekutuar.
Janë kthyer sërish në shtëpi. Kanë hapur derën e dhomës ku kanë qenë 51 persona. Kanë hedhur dy bomba. Më pas kanë qëlluar me automatik deri sa ka menduar se i ka vrarë të gjithë.
Kemi hyrë ne shtepi me një llampë të makinës e bateri makine. Kemi mbyllur dritaren me batanije që të mos duket drita dhe të na sulmonin. Kemi mbledhur kockat çfarë kishin mbetur. Kocka më e madhe ka qenë sa një pako cigare. I kemi futur në bunker në pyll. Aty i kemi lënë deri në përfundim të luftës dhe më pas kemi bërë rivarrimin" rrëfehu Muqolli.
Masakra e Shtunices
Ndërsa për masakrën e ndodhur në Shtuticës në 1999 ku familja Bilalli humbi 21 antarë, Rifat Bilalli i mbijetuari kujtoi me lot në sy dhimbjen e madhe që kishte përjetuar.
“Kosova më 30 prill të 1999 u gdhi në tym e flakë nga Serbët. Dëgjonim vetëm krisma, erdhën dhe na morën të gjitha çfarë kishim në shtëpi, na zhveshën në pjesën e lartë të trupit dhe na ngjitën në mal. Aty na kanë torturuar, rrahur dhe vrarë me thika, na vizatuan edhe kryqet e tyre në ballë, atë ditë janë vrarë mbi 400 veta” tregoi Bilalli.
Më tej Imer Deliu rrëfeu historinë e familjes së tij ku më 6 shtator të 1998, në Abri të Epërme, u masakruan 23 anëtarë të familjes, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq.
“Kur kam qenë duke ikur për në shtëpi kufomën e parë që pashë ishte ajo e vëllait tim,e më pas pashë të nënës, hallave të kunatës dhe fëmijëve. Të gjithë ishin ekzekutuar me granata dore dhe armë të ftohta” u shpreh Deliu.
Por përtej humbjeve dhe dhimbjes të tre të mbijetuarit dhanë një mesazh të madh për të gjithë shqiptarët në këto festa të cilat kujtojnë mbi të gjitha sakrificën e dëshmorëve tanë, emri i të cilëve mbetet i paharruar në historinë e vendit.
“Për të gjithë shqiptarët është festë e madhe kjo ditë e aq më tepër edhe për në shqiptarët e Kosovës, ju urojmë të gjithëve gëzuar festat dhe shpresojmë që një ditë të jemi të bashkuar në një “ u shprehën ata në fund të bisedës.

