Osmani: “Ballkani i Hapur”, hapësirë për ekspansion të hegjemonisë serbe

Presidentja e vendit Vjosa Osmani në një konferencë me presidentin e Sllovenisë Borut Pahor ka thënë se Serbia nuk ka qëllime të mira me iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, duke shtuar që shteti serb po synon që Kosovën ta fusë në këtë iniciativë si provincë të saj.

‘Ballkani i Hapur’ është hapësirë për ekspansion të hegjemonisë serbe. Në këtë moment, Serbia po tenton ta luajë rolin kryesor në këtë iniciativë, nuk ka qëllime të mira në raport me rajonin tonë. Derisa synon që Kosova synon të hyjë në iniciativa të tilla si provincë e saj, gjë që nuk është, sepse realiteti është krejt ndryshe, sepse jemi shtet i pavarur dhe sovran, natyrisht që një iniciativë e tillë nuk u shërben interesave të vendit tonë dhe as të rajonit”, deklaroi Osmani.

E para e vendit ka përmendur disa prej arsyeve të tjera kryesore që Kosova nuk do të bëhet pjesë e kësaj iniciative.

“Ka disa shqetësime të tjera që i kemi, e para është që kjo iniciativë ka shkelur parimin themelor të iniciativave rajonale, që është parimi i gjithëpërfshirës, sepse kur është iniciuar kanë qenë vetëm dy shtete, e dyta është shkelur parimi i trajtimit të barabartë të të gjitha shteteve dhe e treta, kemi shqetësime edhe sa i përket faktit që do të shndërrohet në një paradhomë pritje dhe do t’u jepte arsyetim skeptikëve brenda BE-së që do të na lenin neve të merremi me njëri-tjetrin për një kohë të gjatë në vend që të qartësohet perspektiva jonë evropiane, shqetësime tjera kanë të bëjnë me çështje ekonomike dhe të sigurisë”, tha Osmani.