Tragjedia në Deçan/ “E nxora nga dritarja e autobusit, më vdiq rrugës në prehër”, flet personi që dërgoi njërin nga nxënësit në spital

Kosova u trondit dhe nga sulmi tragjik i autobusit, ku humbën jetën 2 nxënës, shoferi i autobusit, ndërsa 1 person u plagos.

Zeqë Malaj nga Gllogjani është dëshmitari që dërgoi njërin nga nxënësit në spital

Ai  ishte duke ecur me miqtë e tij, kur kishte dëgjuar disa zhurma.

Pak momente më vonë ai do të bëhej dëshmitar i sulmit tragjik në Gllogjan të Deçanit, ku u sulmua autobusi dhe mbetën të vrarë tre persona, shoferi dhe dy nxënës.

Një prej tyre, siç tregon Malaj për Albanian Post, vdiq në prehrin e tij, pasi ishte ai që e kishte nxjerrë nga autobusi dhe më pas po e dërgonte me urgjencë në spital, shkruan gazeta express.

“Kam qenë me dy policë, L. e kam pasur në prehër deri në Spital në Deçan. Gjatë rrugës ka pasur puls, deri diku në mesin e rrugës, dikur nuk ka pasur shenja për jetë. Kur kemi ardhur në fshatin Preljep, diku në mesin e fshatit e kam parë se gjendjen nuk e ka mirë, nuk ka puls”, tha ai.