Brdariç: Duam sa më shumë tifozë në stadium, me Laçin angazhim serioz

Vllaznia do të ketë një tjetër ndeshje në shtëpi, të dytën radhazi në “Loro Boriçi” të cilën trajneri Thomas Brdariç kërkon ta shfrytëzojë për të marrë 3 pikë të tjera ndaj Laçit.

Trajneri i shkodranëve foli në konferencën për shtyp në vigjilje të ksaj sfide ku fillimisht bëri apel për më shumë tifozë në mbështetje të skuadrës.

“Dua të them diçka për tifozët tanë në stadium sepse në javën e kaluar më pyetën pse ka pasur pak tifozë. Unë dua të them se i respektoj të gjithë spektatorët dhe sidomos ata që vijnë në stadium, qoftë një, një mijë apo dhjetë mijë dhe do të ishte bukur të shohim nesër më shumë tifozë që na mbështesin. Kemi nevojë për të gjithë, e kemi nisur bashkë dhe iu duam me vete në këtë rrugëtim. Kjo është diçka shumë e rëndësishme për mua dhe ne do të mundohemi të bëjmë maksimumin dhe t’i kënaqim tifozët që të jenë sa më të shumtë në numër. Për mua është e rëndësishme të kemi besim, duhet të tregojmë se jemi një ekip dhe kështu mund të fitojmë. Duhet të japim më shumë se maksimumin për të treguar dëshirën”.


Duke folur për kampionatin, Brdariç komentoi edhe humbjen e Tiranës teksa konfirmoi se skuadra është e plotë dhe pa mungesa.

“Të gjithë ndeshjet e Superiores janë të veçanta, e njëjta gjë vlen edhe për Laçin. Nuk ka rëndësi si është Laçi, ne gjithnjë do ta marrim seriozisht. Humbja e Tiranës me Kukësin ishte një sinjal i rëndësishëm për të treguar se të gjithë duhet të jenë të kujdesshëm dhe se çdokush mund të mposhtë këdo në kampionat. Çdokush ka një sfidë të vështirë për t’u stërvitur dhe për të luajtur në kushte të vështira që gjenden në Shqipëri. Në ndeshjen e Kukësit me Tiranën disa detaje të vogla bënë diferencën dhe këtë duhet ta kemi parasysh edhe ne. Të gjithë lojtarët janë gati, kam vlerësim për stafin, përgatitësit. I kemi lojtarët e shëndetshëm, Victor Da Silva është kthyer dhe kemi mundësi për të zgjedhur lojtarët”, përfundoi trajneri i Vllaznisë, Brdariç në konferencën për shtyp./Ora News/.