"Open Balkan", Duka: Nëse ndodh Rama duhet të ngrejë grupe pune dhe barriera që të mbrojë prodhimin vendas
Kryeministri Edi Rama po i mëshon idesë së "Open Balkan" dhe heqjes së tarifave doganore për mallrat që do të vijnë nga vendet e rajonit.
Ish-ministri i Bujqësisë, Agron Duka i ftuar në studion e RTV Ora me gazetaren Beti Njuma u shpreh se nëse do ketë enë komunikimi të lirshme do vërshojë malli i vendeve të rajonit në Shqipëri.
Duka: Nëse bëhet një gjë e tillë kryeministri duhet të ngrejë grupe pune ku peshën kryesore duhet ta ketë bujqësia në mënyrë që të jetë në mbrojtje të prodhimeve të vendit. Të vejë barriera për mallrat që hyjnë nëse bëhet "Open Balkan" dhe të tolerojë mallrat shqiptare.
I pyetur se çfarë ndodhi me regjimin e taksimit të karburantit që u shitet jahteve zoti Duka u shpreh se karburantet për jahtet nuk kanë taksa, akcizë dhe taksë qarkullimi.
Duka: Kjo ka sjellë në shumë raste një farë abuzimi. Vijnë jahte të fuqishme që marrin nuk e di sa tone naftë që ne i japim si sukses të turizmit shqiptar. Ato sapo mbushen me naftën tonë, ikin dhe vazhdojnë rrugën, ndërkohë që me këtë sasi nafte mund të bënim punime në bujqësi. Bujqësia nuk është parë si prioritet, prioritet shihen degë të tjera turizmi, mund të shihen ndoshta problemet që na ka lënë si pasojë pandemia dhe tërmeti, por është gabim i madh që ne të hamë nga bujqësia në mënyrë që të mbushim thesin e buxhetit për ta përdorur aty realisht ka nevojë. Është njëfarë padrejtësie.
Zoti Duka u shpreh se bujqësia jep 20% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto dhe aty punojnë rreth 40% e popullatës.
