Italia me "Super Green Pass", kufizime të reja për të pavaksinuarit pas rritjes së rasteve me Covid-19
Italia ka aprovuar masa urgjente shtesë për përballimin e valës së katërt të pandemisë Covid 19.
Masat e reja aplikojnë detyrimin e vaksinimit për grupe të reja sociale, nisjen e dozës së tretë të vaksinimit të paktën 5 muaj nga doza e dytë si dhe futjen e një Green Pass-i të ri i quajtur i forcuar, që do të favorizojë personat e vaksinuar apo të imunizuar nga Covid 19, pra që e kanë kaluar pandeminë.
Këto rregulla urgjente synojë të mbajnë nën kontroll përhapjen e virusit në fokusin e festave të fundvitit e sidomos në këtë valë të katërt të tij që ka shënuar mbi 12 mijë të infektuar në 24 orët e fundit e 85 viktima.
Qeveria Draghi ka firmosur draftin e ri që parashikon reduktimin e përdorimit të Green Pass-it, pra të pashaportës jeshile nga 12 muaj në 9 muaj e prej datës 15 dhjetor vaksinimi bëhet i detyrueshëm për personelin administrativ shëndetësor, për personelin arsimor e administrativ të sistemit shkollor, forcat ushtarake e forcat e policisë përfshirë punonjësit e sistemit të burgjeve e personelin e ndihmës publike.
Pasaporta shëndetësore shtrihet në shërbimin hekurudhor, rajonal, ndër rajonal, e në shërbimin e transportit publik lokal, si dhe për hotelerinë e në dhomat e zhveshjes së aktiviteteve sportive.
Prej datës 6 dhjetor e deri më 15 janar 2021, në Itali futet përdorimi i Green Pass-it të forcuar, që vlen vetëm për ata persona që janë vaksinuar apo që kanë kaluar Covid 19.
Ky tip i ri pasaporte e re jeshile do të shërbejë për të hyrë në aktivitete që mund të jenë nën masa shtrënguese në zona të konsideruara të verdha, pra me risk infektimi të ulët si në spektakle, aktivitete sportive, evente, restorante të mbyllura, ceremoni publike e festa e diskoteka.
Doza e tretë e vaksinës do të lejohet të kryhet të paktën 5 muaj pas dozës së dytë e do të nisë vaksinimi për grupmoshën mbi 40 vjeç.
Ndërsa për vaksinimin e fëmijëve mbi 5 deri në 2 vjeç, qeveria italiane ka informuar se është në pritje të vendimit që do të marrë Agjensia Europiane e barnave.