Editorial i Drejt - Akademia e shkencave dhe Shqipëria e sotme

Është themeluar 49 vjet më parë, e në pritje të mbushë gjysmëshekulli jetë dhe veprimtari shkencore, Akademisë së Shkencave i është dashur të përballë deformime dhe reformime, që më së shumti kanë reflektuar në të qasjet, vizionin dhe shijet e politikës, përkatësisht të pushtetit, pavarësisht se pushtetit nuk është se i është dashur edhe aq Akademia.

Paradoksalisht, edhe pse vendi ka kaluar nëpër një tranzicion të gjatë e krejt të panatyrshëm prej ndryshimit të sistemeve pas rrëzimit të komunizmit, pavarësisht se i është dashur të përballojë kriza nga më të mëdhatë, deri edhe në krizën e ekzistencës së vetë shtetit në vitin 1997, Akademia nuk është se i ka hyrë shumë në punë e as është thirrur ndonjëherë në apel t’u përgjigjet nevojave të vendit.

Edhe pas tërmetit shkatërrimtarë të nëntorit 2019 apo edhe përgjatë pandemisë që pushtoi globin pas marsit 2020, qeveria nuk është se e ndjeu nevojën e Akademisë në fakt dhe as e përfshiu atë në strategjitë e veta zhvillimore.

Kësisoj, e lënë mënjanë e shpeshherë edhe e sulmuar apo e anatemuar, Akademia e Shkencave ia ka dalë të jetë duke mbijetuar në kthinën e vet.

Pasi u mbush me akademikë të emëruar nga qeveria, ajo mend u shndërrua në një aneks të pushtetit në fakt, e iu desh bukur gjatë kohë që të gjente udhën nëpër të cilën duhej të ecte.

A ia doli?

Një pyetje që do ende kohë të marrë përgjigje në fakt, por më në fund ajo që duket e që mund ta themi është se Akademia e Shkencave, po rigjen udhën që e kishte humbur.

E vënë para sprovash të mëdha, Akademia po përpiqet që më shumë se veten, të ringjallë besimin e humbur ndaj saj, çka në fakt është besimi tek autoriteti i shkencës, pa të cilin edhe qeverisja e vendit nuk bën dot.

Nuk na duhet të shpikim ndonjë gjë, mjafton të shohim se çfarë kanë bërë të tjerët e nga ata të marrim më të mirën.

Në të kundërt, do të vazhdojmë të dëgjojmë politikanë që nuk ia kanë idenë se çfarë do të thotë politikë dhe do të gajasemi me qeverisës që flasin për Akademinë e Barinjve, sepse nuk e kanë idenë se çdo të thotë Akademi.

Kombet e përparuar e vendet e zhvilluara janë bërë të tilla, sepse kanë ditur ta venë shkencën dhe dijen në krye të punëve.