Editorial i Drejt - Reagimi i munguar i shtetit

Ngjarjet kriminale pasojnë njëra-tjetrën dhe dominojnë kronikat e lajmeve, duke u bërë në një farë mënyre kalendari i ditëve tona.

Në larminë e tipologjisë me të cilën ato shfaqen dhe me agresivitetin që hyjnë në jetën e secilit prej nesh, dashje apo pa dashje, të krijohet përshtypja se jeta jonë në fund të fundit është e tëra një kronikë e kriminalizuar.

Pa asnjë grishje për ta parë realitetin siç nuk është e pa as më të voglën tendencë për të vënë ne fokus enkas ngjarjet kriminale për të “nxirë realitetin”, po përpiqem të evidentoj një dukuri; atë të ambientimit tonë si shoqëri me krimin si fenomen, aq sa shpeshherë justifikohemi me një mendjelehtësi të habitshme duke thënë: kështu ndodh në të gjithë botën!

Ka një të vërtetë; krimi si dukuri globale dhe që nuk pyet shumë për kufijtë shtetërorë apo për përkatësitë nacionalë, që nuk i llogarit bindjet politike apo besimin që ushtrojnë ose jo qytetarët, ndeshet gjithkund, madje edhe në shtetet më të zhvilluara të botës.

Por ky fakt nuk na lejon ne ta përligjim apo ta justifikojmë situatën e rëndë kriminale në vendin tonë, duke thënë “kështu ndodh edhe në vendet e tjera”.

E nëse ndodh që edhe në vendet e tjera të ketë vrasje, të ketë rrëmbime e dhunime makabre të fëmijëve apo grabitje bankash e trafikime lëndësh narkotike, ajo që nuk ndodh atje është mungesa e shtetit, përkundër faktit që shteti tek ne në më të shumtën e rasteve nuk është, ose edhe kur është, është aq i vonuar sa edhe kur shfaqet nuk e beson njeri.

Kur flas për reagim nuk kam parasysh konferencat e shtypit të kryeministrit apo statuset a komentet e tij dhe të ministrave të tij në facebook apo në instagram.

Nuk kam parasysh as qasjen apo sjelljen e deputetëve, nga pushteti dhe nga opozita, të cilët pasi derdhin lumenjtë e mëllefit përmes retorikës dhe komunikimit të dominuar nga vulgariteti dhe injoranca e gjuhës së dhunës, venë maskën dhe bëjnë hipokrizinë e rradhës sipas rastit që iu jepet.

Akti kriminal i rrëmbimit dhe vrasjes së Mateos së vogël në një fshat të Fierit, është vetëm dëshmia e radhës që na vë përpara dy dukurive; mosveprimit të shtetit për të parandaluar një krim që ishte e mundur të parandalohej nga njëra anë, dhe hipokrizisë së njerëzve me pushtet, të cilët nuk e kuptojnë se vetëm fjalët ngushëlluese në faqet e facebook-ut të tyre e rendja për t’i shitur ato si lajmet e ditës nëpër portale, nuk ka asnjë vlerë dhe madje as nuk i beson njeri.

Reagimi i shtetit është tjetër gjë.

Më së pari është përmes nxjerrjes së përgjegjësisë se përse nuk u parandalua vrasja, përse ndodhi grabitja, përse dhe kush e lejon ende kultivimin e drogës, kush bëhet garant për transferta bankare parash të krimit dhe kush merr përsipër pastrimin e tyre.

Mandej, vjen ndërhyrja e shtetit që merr përsipër përgjegjësitë e veta, duke reaguar ndaj cilitdo që me apo pa dashje nuk ka kryer detyrën.

Mirëpo, që shteti të shfaqet në këtë mënyrë, duhet që njerëzit e pushtetit të dëshmojnë se integriteti i tyre është më rëndësishëm se posti që mbajnë.