Gazetari Isa Myzyraj: Unë zoti Veliaj nuk kam fare, po fare turp kur t’u them prindërve të mi se çfarë punoj

Unë zoti Veliaj nuk kam fare, po fare turp kur t’u them prindërve të mi se çfarë punoj, e ku punoj, madje jam shumë krenar për gjithçka që bëj, e kam bërë!
Unë punoj në media, e cila tani quhet Ora News, nesër mund të punoj në një tjetër logo, por kurrë nuk do të vendos në pazar parimet e mia dhe këtë besoj e di, ta kanë thënë besoj përgjigjen time, një përgjigje që do e marrësh të njëjtën përherë, por tjetër muhabet ky.
Unë nuk e kam për turp zoti Veliaj që në darkë në bisedë me mamin tim modeste bëjmë llogari shpenzimet e muajit, që si unë si ajo i kemi të deklaruara kokërr më kokërr pranë institucioneve, unë si gazetar e ajo si punonjëse fasonerie, që me pagën e saj mban edhe bashkëshortin e sëmurë, dhe s’ka asnjë shans që të kursejë ndoshta për ahengje familjare a ndonjë dasmë për djalin ndonjëherë.
Unë nuk e mbroj dot Ylli Ndroqin zoti Veliaj, s’do e bëj kurrë, sepse jam gazetar!
Por, ama do kërkoj gjithmonë llogari për punët e pabëra në Tiranën ku unë jetoj, derdh taksa çdo muaj dhe jam prej 5 vitesh banor i saj.
Unë kam shkruar kundër shkatërrimit të Tiranës para se të jem gazetar në Ora News, që të zhduket alibia që kam ndonjë interes të caktuar, e kam bërë që në 2015-ën e këtej, lehtësisht e vërtetueshme, do vijoj ta bëj përsëri e përsëri.
Do vijoj ta drejtoj mikrofonin sa herë të të shoh, e do të gjej sa herë të përpiqesh t’u ikësh medieve, siç ke bërë që në 2015-ën kur nuk ke mbajtur asnjë konferencë për gazetarë.
Unë do të vijoj të kërkoj përgjigjet e munguara për pyetjet që shqetësojnë qytetarët e Tiranës zotëri dhe s’do më ndalosh as me intimidimet e tua, as me shantazhet e aq më pak duke më përmendur prindërit e mi që s’i kuptojnë kurthet e ndyra të pushtetarëve ndaj kujtdo që i kundërvihet.

