Kriza humanitare në Afganistan, Pakistani: Mos harroni historinë, varfëria ringjall terrorizmin

Marrja e pushtetit nga talibanët në Afganistan ka sjellë largim masiv të afganëve nga vendi i tyre për t'u drejtuar kah vendeve të tjera kufitare dhe më larg. Për më tepër, Amerika ka bllokuar edhe asetet e shtetit që kishte nëpër banka të ndryshme nëpër botë.

Kriza financiare dhe largimi masiv i qytetarëve janë duke e çuar vendin në zgrip të një krize të fortë humanitare ka paralajmëruara OKB-ja dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Pakistani ka mikëpritur këtë të enjte diplomatët nga Amerika, Kina dhe Rusia në Islamabad për të diskutuar situatën në Afganistanin fqinj. Ministri i Jashtëm afgan, Amir Khan Muttaqi ishte gjithashtu i pranishëm në Islamabad, por ai nuk mori pjesë në takimin e së enjtes i emërtuar "trojka plus".

Në fokus të bisedimeve të diplomatëve të lartë është parandalimi i një krizë humanitare në Afganistan si dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, veçanërisht të drejtave të grave.

Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Shah Mahmood Qureshi, paralajmëroi në hapje të takimit se Afganistani është "në prag të kolapsit ekonomik" dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të zhbllokojë urgjentisht fondet e ngrira nga donatorët perëndimorë që kur talibanët morën pushtetin dhe të ofrojnë ndihmë humanitare.

Çdo përkeqësim i mëtejshëm ekonomik do të "kufizonte rëndë" aftësinë e qeverisë së re talibane për të drejtuar vendin, tha kryediplomati pakistanez.

Ai kishte edhe një paralajmërim për Europën:

“Nëse mendoni se jeni larg, se Europa është e sigurt dhe ato zona që imagjinoni se nuk do të preken nga terrorizmi, mos e harroni historinë,” tha ai. “Ne kemi mësuar nga historia dhe nuk duam t'i përsërisim gabimet të bëra në të kaluarën”, ishte apeli i kryediplomatit pakistanez.

Departamenti i Shtetit tha në fillim të kësaj jave se i dërguari i ri special i SHBA për Afganistanin, Thomas West, do të marrë pjesë në takim për të bërë të qarta pritshmëritë amerikane nga talibanët dhe nga çdo qeveri e ardhshme e Afganistanit. Zyrtari amerikan do të udhëtojë më pas në Rusi dhe Indi.

Edhe kinezët janë shprehur se mbështesin të gjitha përpjekjet ndërkombëtare për promovimin e paqes dhe stabilitetit në Afganistan.

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar vazhdimisht se Afganistani është në prag të krizës më të keqe humanitare në botë, me më shumë se gjysmën e vendit që po përballet me mungesë “akute” të ushqimit dhe dimrin e ashpër që detyron miliona njerëz të zgjedhin midis emigrimit dhe urisë./Ora News/