Editorial i Drejt - “Të vegjlit” e opozitës

Në zgjedhjet e përgjithshme politike të 25 prillit, u regjistruan  me kandidatë për deputetë 46 parti politike dhe tre koalicione.

Por, përbërja e Kuvendit që doli prej atyre zgjedhjeve, kushtëzuar edhe prej ndryshimeve të njëanshme të bëra në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor, rezulton të jetë me më pak parti të përfaqësuara.

E për rrjedhojë, kemi vetëm katër grupe parlamentare; atë të Partisë Socialiste që është edhe grupi i maxhorancës, Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, Grupin Parlamentar të PDIU-së, i  emërtuar Grupi Parlamentar për Demokraci dhe Integrim,

Dhe Grupi parlamentar i Aleancës për Ndryshim, me veçorinë që këto dy grupe, pra Aleanca për Ndryshim dhe Grupi Parlamentar për Demokraci dhe Integrim, janë grupe të dala nga lista e Partisë Demokratike.

Ndërkaq, dy parti të tjera që përfaqësohen në Kuvend, LSI me katër deputetë dhe Partia Socialdemokrate me tre, nuk arritën dot të krijojnë grupe parlamentare.

Edhe pse në realitetin politik shqiptar kanë qenë parti me histori dhe rol të spikatur si Partia Republikane, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Partia Agrare Ambientaliste apo Partia Demokristiane, në realitetin parlamentar këto parti nuk janë më aktorë me emrin apo me siglën e tyre.

Disa prej kryetarëve të tyre janë deputetë, por ata kanë hyrë nga dera e partisë së madhe të opozitës, nga dera e Partisë Demokratike.

E pyetja që lind është: Çfarë po ndodh me aleatët e vegjël të Partisë Demokratike apo thënë ndryshe, çfarë po bëjnë të vegjlit e opozitës?

Edhe më evidente bëhet kjo pyetje po të kemi parasysh zhvillimet agresive brenda Partisë Demokratike, pas vendimit të kryetarit të Partisë Demokratike për largimin nga grupi parlamentar i kësaj partie të liderit historik të saj Sali Berisha, pas vendimit të Sekretarit Amerikan të Shtetit për shpalljen e tij person non grata.

Nisma e zotit Berisha me “Foltoren” e tij dhe turi i takimeve ne disa bashki të Shqipërisë dhe lufta e shpallur për shkarkimin e Kryetarit të sapozgjedhur Lulzim Basha, i kanë turbulluar ujërat e qeta të opozitës.

Po të vegjlit e saj ku janë?

A funksionon më fronti opozitar i shpallur që pas djegies së mandateve nga opozita në vitin 2019?

Po aleatet e përshirë nga zoti Basha në listat e Partisë Demokratike çfarë qëndrimi mbajnë në raport me zhvillimet brenda saj, sepse në një farë mënyre ato janë edhe zhvillimet brenda vete opozitës?

Po qëndrimi i tyre ndaj zotit Berisha dhe Foltores cili është?

Janë një mori pyetjesh, janë një mori çështjesh që mbeten për t’u trajtuar dhe zgjidhur edhe nga vetë këto parti që quhen të vogla, dhe që në fakt, për shumë faktorë që varen ose jo nga ato vetë kanë ardhur duke u bërë gjithnjë e më të vogla.