Shpërbërja e pashmangshme e Bosnjë-Herzegovinës dhe pasojat në Kosovë, edhe më përtej ndarjes së saj

Me largimin e SHBA nga Afganistani u shpall zyrtarisht e përfunduar epoka e përpjekjes së madhe amerikane për shtetndërtim (nation-building sipas termave përgjithësisht të pasaktë në anglisht për gjëra të tilla), që nisi pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Kjo epokë që u mbyll pa lavdi në Afganistan nisi në Bosnjë-Herzegovinë me të ashtuquqajturën Marrëveshje të Dayton-it, në 1995. Them “të ashtuquajturën” sepse në fakt ishte një ultimatum amerikan për palët. Që nga ajo koha Bosnjë-Herzegovina (B-H) ka qenë një shtet federal i rremë i sunduar nga një diktator ndërkombëtar, i njohur si përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar për zbatimin e pjesës civile të Marrëveshjes së Përgjithshme Kuadër për Paqen në B-H, siç njihet formalisht Marrëveshja e Daytonit. Pushteti i këtij diktatori për të shfuqizuar vendimet e pjesëve të federatës vinte nga roli që i njihej atij nënë rezolutat periodike të Këshillit të Sigurimit të OKB që ripërtërinin mandatin ndërkombëtar në Bosnjë-Herzegovinë.

E fundit nga këto rezoluta, ajo nr. 2604 u miratua para pak ditësh në 3 nëntor 2021.

E reja e kësaj rezolute është se në të nuk përmendet roli i përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, pra në B-H, që prej 3 nëntorit nuk ka më një autoritet ndërkombëtar me pushtet të tillëqë mund të anulojëçfarëdo vendimi të pjesëve të federatës.

Mospërmendja në rezolutë e rolit të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar ishte kushti i Rusisë që të mos vinte veton kundër miratimit të rezolutës. Kuptohet që Rusia e mbajti këtë qëndrim në interes të Serbisë e cila tashmë e ka inicuar shpërbërjen e B-H.

Presidenti i Republikës Serbe të B-H, Dodik ka paralajmëruar edhe një herë nisma të qarta për shkëputjen e kësaj njësie federale. Deri më tani nisma të tilla serbe janë penguar nga pushteti që kishte përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar për B-H. Tani e tutje serbët e B-H mund të veprojnë lirisht dhe përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar nuk i mbetet veçse të shprehë keqardhjen e tij në deklarata për mediat, praktikisht i reduktuar në rolin e opinionistit.

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar ka thënë së fundmi se nuk do të ketë luftë në B-H, por deklarata është pështjelluese në stilin e dykuptimtë të Orakullit të Delfit.Nëse nuk do të ketë luftë në B-H, kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë shpërbërje pa luftë.Me zhveshjen e  autoritetit civil ndërkombëtar për B-H nga plotfuqia që pas 3 nëntorit 2021, shpërbërja e B-H mund të pengohet vetëm me një ndërhyrje ushtarake-ndërkombëtare. Ky është i vetmi skenar i luftës në këtë vend. Dhe kjo mund të ndodhë nëse ka ndërhyrje ushtarake amerikane.

Nëse amerikanët e bëjnë këtë ky do të jetë një aksion për të mbrojtur një përpjekje tashmë qartësisht të dështuar për shtetndërtim në Ballkan, çka është përgënjeshtrim i deklaratës së Biden pas tërheqjes nga Afganistani se nuk do të ketë më përpjekje amerikane për shtetndërtim në botë.Në të vërtetë publiku amerikan nuk do ta pranonte këtë gjë pas tërheqjes nga Afganistani.

Në B-H sot nuk ka prani ushtarake amerikane. Forca ushtarake ndërkombëtare në B-H, EUFOR, ashtu siç e tregon emri i saj është europiane. Dhe sot kjo forcë është zvogëluar në rreth 600 vetë.

Shpërbërja e B-H si shtet federal do të vijë si pasojë anësore e tërheqjes amerikane nga Afganistani.

Është e vërtetë që territori iRepublikës Serbe të B-H ndahet nga rajoni i Brçkos, që është një lloj Dancingu i ri, duke qenë i vetmi qytet i vetëqeverisur në Europën e sotme, por ky është një problem që zgjidhet lehtë mes serbëve dhe kroatëve pasi të dy palët e duan ndarjen e B-H. Në Brçko, me 402 km² shumica e popullsisë, 52% janë serbë dhe kroatë. Serbët përbëjnë 48.6% të popullsisë së Brçkos. Pra, serbët dhe kroatët, së bashku mund të vendosin për shkëmbimin e Brçkos me një territor nga Republika Serbe e B-H që iu intereson kroatëve.Muslimanët mund të rrinë në Brçkon serbe ose të ikin prej andej.

Në të vërtetë problemi me ndarjen e B-H nuk qëndron aq të shkëputja e Republikës Serbe se te ndarja e krijesës së Dayton-it, Federatës Kroato-Muslimane brenda federatës së B-H.

Me shkëputjen e Republikës Serbe do të shkëputen edhe kantonet me shumicë popullsie kroate për t’ iu bashkuar Kroacisë.

Kantonet me shumicë popullsie muslimane, e cila ka përvetësuar emrin “bosnjak” kanë një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 12 mijë km², një territor ky i ndarë në dy pjesë, larg njëra tjetrës. Njëra pjesë, me qendër Sarajevën me sipërfaqe rreth 8 mijë km² dhe tjetra, në veriperëndim, prej 4 mijë km². Të dy pjesët nuk kanë dalje detare.

Zgjidhja më e mundshme e problemit do të ishte një shkëmbim territori mes kroatëve dhe boshnjakëve. Kështu, kantoni Una-Sana me sipërfaqe 4102 km², me popullsi 90% boshnjake të merrej nga kroatët të cilët në këmbim do të jepnin pjesën më të madhe të kantonit të Hercegovinë-Neretvës, me sipërfaqe 4404 km²dhe me popullsi 53% kroate dhe 41% boshnjake. Me këtë këmbim do të sigurohej vazhdimësia mes territoreve me shumicë popullsie muslimane.

Pamundësia e ruajtjes së B-H si federatë e rreme e bën të pashmangshme ndarjen e Kosovës. Por gjërat do të shkojnë edhe më keq. Logjikisht, Kosova e mbetur do të duhej që të bashkohej me Shqipërinë. Por çështja ndërlikohet sepse nëse ndodh bashkimi Shqipëria do të marrë përsipër detyrimet që rrjedhin nga marrëveshjet e llojit Zajednica dhe të statusit të posaçëm të Kishës Serbe në territorin e Kosovës që praktikisht e bëjnë shtetin shqiptar të varur nga Serbia. Kjo do të krijonte pikënisjen që edhe Greqia të kërkonte të njëjtën gjë në Shqipëri.

Gjithsesi, së paku ndarja e Kosovës do të bëhet me një marrëveshje dhe SHBA do ta përdorë këtë gjë për t’ i dhënë fund pranisë ushtarake në Kosovë, siç bëri në B-H.

Kosova, për shkak të marrëveshjeve që ka bërë me Serbinë rrezikon të mbetet si kantonet muslimane të B-H, një territor i vogël, i izoluar.