Rama ul pagat për naftëtarët, qeveria miraton buxhetin: Punonjësit e rafinerive do paguhen deri në 2023-in
830 punonjës të rafinerive të naftës në vend do t’u akordohet paga e papunësisë prej 30 mijë lekësh gjatë dy viteve të ardhshme. Shifra në total e parashikuar nga qeveria në buxhetin për vitin e ardhshëm është 300 milionë lekë të reja dhe kjo pagë për naftëtarët është miratuar edhe në buxhetin afatmesëm. Duke iu referuar deklaratave të ministres Balluku në Kuvend, rezulton se ata do të marrin 10 mijë lekë më pak krahasuar me pagën që morën deri në fund të muajit tetorit, në bazë të marrëveshjes së arritur me kryeministrin Edi Rama vitin e kaluar.
Naftëtarët e Ballshit dhe Vlorës do të marrin sërish pagë nga buxheti i shtetit shqiptar edhe për 2 vitet e ardhshme. Lajmi u bë i ditur nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë raportimeve të saj në Komisionet parlamentare ku u shqyrtua projektbuxheti 2022.
“Është bere parashikimi që 830 punonjës t’u akordohet paga e papunësisë prej 30 mijë lekesh. Shifra total është 300 milionë. Është dhe ne buxhetin afatmesëm, për tu akorduar dhe ne 2023."
Referuar deklaratës së Ballukut në Komision, naftëtarët do të marrin 10 mijë lekë më pak krahasuar me pagën që morën deri në fund të muajit tetorit, në bazë të marrëveshjes së arritur me kryeministrin Edi Rama vitin e kaluar.
Marrëveshja që naftëtarët e Rafinerisë së naftës në Ballsh kishin lidhur me qeverinë shqiptare përfundoi më 1 nëntor të këtij viti.
Një vit më parë kryeministri Rama deklaroi se qeveria e tij do të bisedojë me kompani të tjera që duan që ta marrin rafinerinë e naftës në Ballsh, por deri më sot nuk është publikuar arritja e asnjë marrëveshjeje.
