"Pa shkollë jemi por budallë jo! S'kam besë se janë të pabesë!" Familja tek '5 Maji" refuzon të ikë nga shtëpia
Në lagjen “5 Maji” në Tiranë vijon shembja e banesave në kuadër të projektit ‘zonë e re për zhvillim” të bashkisë së Tiranës.
Këtë herë letra e IKMT-së ka mbërritur në derën e familjes së Mirash Markut. Ultimatumi u është lënë që duhet të lirojnë banesën deri të hënën por ata refuzojnë pasi në dorë nuk kanë asnjë document që do u vërtetojë se çfarë do të ndodhë pasi të lënë shtëpinë. E për tre familjet që jetojnë në këtë banesë u janë dashur 30 vite punë për ta bërë.
“Kjo shtëpi nuk është bërë me pisllik por me djersë. E nëse dal nga kjo shtëpi nuk jam në gjëndje të bëj shtëpi më. Duam të drejtën tonë. Ai thotë, firmos ti një herë marrëveshjen e më pas e firmos unë. Jo, vëlla i dashtur, pa shkollë jemi por budallë jo” thotë nëna.
Gruaja e moshuar refuzon të dalë nga banesa me familjen e saj pa qenë të sigurtë se çfarë do të ndodhë me ta.
“Nuk kam besë se janë të pabesë. E hëna është afati I fundit. Unë nuk dal. Le të vijë fadroma. Ku të shkojmë. Ku të thyejmë qafën. Unë nuk kam marrë as ilaçet e zemrës. Nuk kemi marrë asnjë garanci konkrete cfarë do të bëhet me ne. Do na japin shtëpi? Do na japin lekë? Cfarë vlerësimi do marrë shtëpia? Nëse nuk vlerësohet si të ikim. Ose të na thotë hajde këtu”
Ata thonë se banesën e kanë në proces legalizimi.
Një nga shqetësimet e këtyre banorëve është se me bonusin prej 1 mijë e 800 lekë ata nuk arrijnë dot që të marrin një shtëpi me qira.
Gazetarja e Ora News Sonila Musaj ishte atje për të përcjellë shqetësimin e banorëve të kësaj zone që po u prishet shtëpia. Pyetja që I mundon ata është: Po më pas?
