Filmi “Unë si ti”/ Regjisorja: Burri dhe gruaja janë të barabartë, kemi prekur sterilitetin
Në 18 tetor në mjedisin e Universitetit të Arteve u shfaq premiera e filmit me metrazh të shkurtër “ Unë si Ti” .
Publiku artdashës e ndoqi këtë premierë me shumë emocion.
Regjisorja dhe njëherazi aktorja kryesore në film Najada Elmazi zbuloi prapaskenat e filmit që u xhirua në kohë pandemie midis Tiranës dhe Sarandës.
“Puna filloi në 2019 ishte një vit i vështirë pandemie por ja dolëm” u shpreh Elmazi.
“Unë si ti” bëri bashkë një kastë aktorësh shqiptar dhe kosovarë nën regjinë e Najada Elmazit dhe Luan Kryeziut. Filmi solli realitetin shqiptar dhe ju dedikuar fëmijëve të jetimoreve, një ngjarje e cila rrëfehet përmes një çifti të cilët nuk arrijnë të kenë fëmijë biologjik dhe përpiqen të adoptojnë një fëmijë nga jetimorja.
Në film burri nuk mund të lindë por gruaja e fshehë këtë fakt, duke pranuar se ajo është ajo që nuk mund të lindë fëmijë.
“Drama psikologjike ,” Unë si ti” trajton problematikat e mos lindjes së çifteve dhe problemeve sociale të cilat sjellin ndarjen duke rritur numrin e divorceve” u shpreh Elmazi.
Elmazi ishte në rolin e Jonës(gruaja), Jetmiri (burri ) u interpretua nga Lulzim Zeqja, psikologia nga aktorja e mirënjohur Mariana Kondi, kujdestarja nga moderatorja Eva Murati, gjithëashtu aktorë të tjerë në film janë dhe Daljana Sejdia ,Teuta Krasniqi, Anastas Nika, Erind Bejko e shumë pjestarë të tjerë të kastit . Anastas Nika ndahu në studio emocionet e përjetuara teksa xhironte filmin.
“Ishte interesante unë në Sarandë kam qenë protagonist i një sërë gjyqesh për çështjet e mia personale, këtë radhë në rol isha gjyqtar “ u shpreh ai.
Aktori shtoi gjithashtu se ishte i kënaqur që ky realizim ishte vlerësuar edhe nga kritika sikundër edhe nga publiku .
“Publiku e priti shumë mirë, mbaj mend që në fund të premierës pash një mikun tim të përlotur , pra u ndje u përçua ajo dhimbje që ne kemi dashur të japim“- përfundoi Nika.
Elmazi në fund të bisedës tregoi dhe mesazhin që ky film dramatik ka dashur të përcjellë.
“ Unë si ti” do të thotë se në çift partnerët janë të barabartë, të mirat dhe të kqijat duhet ti ndajnë bashkë” tha Elmazi.

