Vuçiç: S’e kuptoj refuzimin për ‘Ballkanin e Hapur’, po punojmë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për të hequr kufijtë

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, pas një vizitë të zhvilluar në Bosnjë-Hercegovinë foli për nismën “Ballkani i Hapur” dhe kritikët ndaj kësaj nisme.

Ai u shpreh se nuk i kupton personat që e kundërshtojnë këtë projekt, pasi sipas tij kjo nismë është një mundësi që të gjithë të dalin të fituar.

“Sot ne po punojmë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në një projekt për të fshirë plotësisht kufijtë për njerëzit në 2023. Në Bosnjë ka një numër të madh njerëzish që duan të shkojnë në Beograd pa pasur kufij dhe e anasjelltas. Kjo do të ishte me rëndësi edhe për ekonomitë tonë”, ka thënë Vuçiç.

Vuçiç u shpreh se Serbia me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, do të ketë kufij plotësisht të hapur për kamionët që do të kenë leje unike të punës, gjë që është e rëndësishme për tregun ballkanik.

“Unë ngre pyetjen se përse sulmohemi për këtë projekt? Unë nuk e kuptoj refuzimin për “Ballkanin e Hapur”. Ende sot nuk kam dëgjuar një argument të saktë kundër kësaj. Ata thonë ne kemi Procesin e Berlinit dhe nuk e kundërshtoj këtë. Por kjo është më shumë se Procesi i Berlinit. Ky hap është bashkëpunim më i ngushtë dhe me besim them se ky projekt do të afronte Sarajevën dhe Beogradin”, ka thënë presidenti serb.

Më tej ai shtoi: “Do të shihni se boshnjakët nga Serbia do të ndjehen njësoj afër Beogradit dhe Sarajevës. Ne thjesht duam të lidhim ekonomitë tona. Nëse fillojmë të punojmë, nëse i drejtohemi ekonomisë , atëherë shumë histori do të bëhen më pak të rëndësishme.”

Ai theksoi se ky projekt hap bashkëpunim edhe më të ngushtë dhe mundësi më të gjera e besim më të madh.

"Ne e bëjmë këtë vetë. Ne vendosim vetë," kujtoi Vuçiç.