E pëson Luciano Spalletti, trajneri i Napolit viktimë e një grabitjeje

Mund të ndodhë edhe kështu. Luciano Spalletti mbetet pa makinë pasi trajnerit i vjedhin mjetin e tij personal në një nga rrugët kryesore të qytetit të Napolit.

Siç mësohet, Spalletti kishte parkuar pranë Hotel Brittanique , aty ku skuadra qëndron kur zhvillon ndeshjet në shtëpi në “Maradona Stadium” dhe ndoshta autorët i kanë qëndruar gati për të përfituar.

Kjo sepse zakonisht trajneri italian parkon në garazh përpara se të shkojë në qendrën stërvitore në “Castel Volturno” por ditën që zgjodhi ta linte në rrugë, autorët e vodhën.

Menjëherë Spalletti ka denoncuar grabitjen dhe është shoqëruar nga policia deri në qendrën stërvitore teksa kanë nisur hetimet.

Ngjarja ka ndodhur vetëm pak ditë pas një tjetër vjedhjeje, ku bashkëshortes së mesfushorit të Napolit, Demme i morën makinën pothuajse në të njëjtën rrugë. Policia mendon se ngjarjet nuk kanë lidhje me njëra tjetrën./Ora News/.