Vetëm me vaksinim në auditore, rektori i Universitetit të Tiranës: Nuk ka dikush po dhe dikush jo?

Të Hënën e 18 Tetorit fillon viti i ri akdemik për ciklin e arsimit të lartë. Rregulli nuk thyhet, të pavaksinuarit në radhët e studentëve nuk do të lejohen të hyjnë në auditor.

Me çertifikatë vaksinimi, test PCR, apo rekomandim nga mjeku i familjes për arsyet e mos-marrjes së vaksinës, vetëm në këtë mënyrë do të lejohet studentët të ndjekin mësimin në auditore gjatë vitit të ri akademik.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha nënvizoi domosdoshmërinë e këtij procesi për të mos humbur një vit akademik si dhe për të mos iu rikthyer mbylljes.

Po a ka një plan si do i përgjigjen studentëve që janë të pavaksinuar?

Artan Hoxha: “Unë vij nga Franca dhe atje nuk të lejonte njeri në institucione publike e private të hysh i pavaksinuar dhe pa maska. Ky është rregull i institucioneve që ka vendosur autoriteti për të mbrojtur shëndetin e popullatës.  Jemi në pandemi.

Atëherë ky është rregull dhe nuk është subjektiv që dikush e zbaton dhe dikush jo. Ne mundohemi që të ndërgjegjëshojmë të kuptojmë si është kjo situatë dhe të bëjmë të mundur që dhe viti të mos humbasë dhe sëmundja të mos përhapet dhe ti rikthehemi mbylljes. “

Në një konferencë për median paraditen e sotme Hoxha konfirmoi se "studentët e vitit të parë janë thuajse të vaksinuar"

I pyetur për mundësi e rikthimit të mësimit online për të pavaksinuarit dy ditë përpara hapjes së universiteteve rektorti i UT Artan Hoxha thotë se mësimi në auditore është i pazëvëndësueshëm.

Megjithatë rektori la të hapur ndjekjen e një skenari tjetër të mundshëm në varësi të numrit të studentëve të vaksinuar në auditore.

Me nisjen e vitit të ri akademik, qendrat vaksinatore janë vendosur në fakultete.

Deri më tani rreth 50% e studentëve të UT janë të vaksinuar ku studentët e vitit të parë përbëjnë dhe numrin më të lartë të marrjes së injektimit. Edhe ata studentë të cilët kanë marrë vetëm një dozë të vaksinës do të pranohen për ndjekjen e mësimit në auditor.